Ditën e hënë, institucionit të Avokatit të Popullit, i erdhi një kërkesë me shkrim.Nëpërmjet saj, këtij institucioni, i kërkohej revokimi i vendimit për pezullimin e Ligjit për Paga nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Këtë kërkesë e bën në mënyrë unanime 5 organizata sindikale, në mesin e tyre edhe ajo e Shëndetësisë.

Kryetari i kësaj sindikate, Blerim Syla, në një prononcim për Front Online, tha se këtë veprim po e ndërmarrin për ta ruajtur paqen sociale.“Nuk dëshirojmë të bëjmë presion, as të paragjykojmë se çfarë vendimi do të merret. Thjesht po kërkojmë anën ligjore, vetëm e vetëm, që ta ruajmë paqen sociale në vend dhe mos të na vjen marsi, që shpesh dinë me qenë i keq dh të na gjejë përballë një situate ku trazirat sociale janë të pashmangshme”, u shpreh ai.

Ai shpreson që Gjykata Kushtetuese të merr vendimin e duhur, meqë siç thotë ai, përmbi 70 mijë punonjës, gjatë tërë vitit kanë pritur rritje të pagave.

“Jemi për një shqyrtim sa më të shpejtë, ndërkohë të fillojë implementimi, ndërsa amendamentet të cilat janë të parapara nëse ka probleme aty, të shikohen edhe njëherë”, deklaroi ai.Syla tha se fluksi i madh i ikjes së mjekëve flet më së miri për dispononim aktual të mjekëve.

Ky disponim, sipas tij, është rënduar edhe më shumë, tash pas pezullimit të Ligjit për Paga.“Besoj që mënyra ma e mirë sesa cila është disponimi është fluksi i tyre që ka dalë jashtë jo vetëm i mjekëve dhe të gjithë punëtorëve shëndetësorë. Por këtu po i bashkëngjitet tash, të gjithë pothuajse. Rinia e ka humb shpresën e vet, sidomos pas këtyre ngjarjeve të fundit politike, sidomos pas këtij vendimi për ligjin për paga”, pohoi Syla.

Më 12 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim ta pezullojë Ligjin për Paga deri në muajin mars.Kjo për shkak se Institucioni i Avokatit të Popullit i ishte drejtuar Kushtetueses duke kërkuar interpretim për Ligjin e Pagave meqë kishte pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik ndaj këtij ligji. /FrontOnline