Pulmologu i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Ibrahim Hoti, është suspenduar nga puna, pasi i njëjti s’i ka ofruar shërbime një pacienti, duke u arsyetuar se ka përfunduar orarin e punës, raporton Llapi.info.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë në Podujevë, Driton Veliu, i cili ka thënë se Këshilli Drejtues i QKMF-së dhe pas analizës së këtij rasti ka vendosur që mjeku të suspendohet përkohësisht nga marrëdhënia e punës deri në një vendim të ri të Komisionit Disiplinor.

“Një video që po qarkullon në rrjete sociale, ku shihet sjellja jo e mirë e një mjeku në QKMF në Podujevë ndaj një  pacienti të moshuar, është e papranueshme dhe nuk përkon as me etikën profesionale.  E kuptoj se personeli shëndetësor është lodhur e dërmuar nga situata që po kalojmë në ballafaqimin me COVID-19, kurse gjendjen e bën edhe më të rëndë mungesa e stafit mjekësor në QKMF, pas shkuarjes në specializim të 12 mjekëve. Mirëpo, tërë kjo nuk e arsyeton një sjellje të tillë të mjekut, aq më pak ndaj një pacienti të moshuar”, ka shkruar Veliu në Facebook.

“Lidhur me këtë rast, Këshilli Drejtues i QKMF-së dhe pas analizës së këtij rasti, Këshilli kanë vendosur që mjeku të suspendohet përkohësisht nga marrëdhënia e punës deri në një vendim të ri të Komisionit Disiplinor. Duke shprehur keqardhje për këtë rast, jam i sigurt se kjo nuk e zbeh dhe nuk do të ndikojë në punën dhe angazhimin e stafit shëndetësor të QKMF në Podujevë në këtë periudhë pandemie në ofrimin e shërbimeve shëndetësore”, ka thënë ai./Llapi.info