Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së, kanë rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë (që të gjithë punonjës në Njësinë e Reagimit të Shpejtë- Gjilan) me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Rasti kishte ndodhur më 22.05.2021 rreth orës 22:00 në një lokal në Gjilan kurse IPK hetimet lidhur me këtë rast ka filluar dy ditë më herët kur hetuesit e Inspektoratit Policor kanë pranuar një ankesë nga një qytetar i cili pretendonte se ndaj tij dhe tre qytetarëve të tjerë ka pasur tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.

“Rekomandimi për suspendimin e zyrtarëve policorë ka ardhur pas analizimit të ankesës dhe shkresave tjera (raporteve mjekësore dhe fotografive) të cilat IPK i ka siguruar gjatë veprimeve hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore Gjilan.

Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, njofton IPK-ja.