Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka miratuar sulmet ushtarake kundër Sirisë, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.

Siç edhe është raportuar më herët, sulmet janë në përgjigje të incidentit të dyshuar kimik, që ka ndodhur javën e kaluar në qytetin sirian, Duma.

“Një operacion i kombinuar me forcat e armatosura të Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar është tani në zhvillim e sipër”, tha Trump në fjalimin drejtuar kombit.

SHBA dhe aleatët nisin sulmet në Siri (Video)

Ndërkohë agjencitë e lajmeve kanë njoftuar se disa shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në kryeqytetin e Sirisë, Damask, në kohën që presidenti Trump njoftoi fillimin e goditjes ushtarake.

Presidenti Trump veçoi mbështetësit kryesorë të Sirisë, Rusinë dhe Iranin, që nuk e ndaluan regimin sirian të përdorte armë kimike.

“Sulmet e ditëve të fundit nga Asadi dhe reagimi ynë i sotëm, është pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të Rusisë për të vepruar”, tha presidentit Trump.

Ndërkohë, pas fillimit të sulmeve kishin ardhur edhe reagime të ndryshme.

Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, ka paralajmëruar se sulmet e Shteteve të Bashkuara mbi Sirinë “nuk do të mbeten pa pasoja”.

“Të gjitha përgjegjësitë për ta qëndrojnë në Uashington, Londër dhe Paris”, ka thënë ai në një deklaratë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Një reagim ka ardhur edhe nga NATO.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mbështetur aksionin ushtarak në Siri, të ndërmarrë nga SHBA, Franca dhe Britania e Madhe.

Përmes një komunikatë dërguar mediave, aleanca veri-atlantike ka shprehur qëndrimin se ky veprim do të zvogëlojë mundësinë e regjimit për sulme të tjera kimike mbi sirianët.

Pamje që tregojnë sulmin me raketa të SHBA-ve ndaj Sirisë (Foto/Video)

Ndërkaq kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May në një deklaratë drejtuar popullit të saj tregoi se si ua kishte dhënë urdhrin Forcave Britanike për sulm, për t’i dhënë fund përdorimit të armëve kimike nga regjimi i Bashar Al Asad.

May pohoi se e kishte marrë këtë veprim ushtarak për shkak se konsideron se mbron të drejtat kombëtare të britanikëve, ndërsa shtoi se nuk kishin asnjë alternativë tjetër.

Ndërkohë televizioni shtetëror sirian e ka përshkruar sulmin nga SHBA-të dhe aleatët e saj si një ‘shkelje flagrante’ e së drejtës ndërkombëtare.

Televizioni shtetëror i Sirisë: Mbrojtja ajrore siriane “rrëzuan 13 raketa amerikane” (Video)

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj realizuan deri në 120 sulme ajrore në Siri në një ‘të shtënë të një kohë’ që Pentagoni tha se ndodhi pas provave bindëse se presidenti sirian Bashar al-Assad ishte përgjegjës për një sulm të armëve kimike duke përdorur të paktën gazin e klorit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis dhe gjenerali detar Joseph Dunford thanë se tre objekte kryesore të armëve kimike u vunë në shënjestër nga raketat nga deti dhe nga avionët.

Parisi publikon videon ku shihen aeroplanët ushtarakë duke u nisur për të bombarduar Sirinë (Video)

Megjithatë, po sipas medieve të huaja, Pentagoni nuk mundi të konfirmojë sa raketa kanë goditur objektivat e tyre.

Ndërkohë televizioni shtetëror sirian pretendon se mbrojtjet ajrore të Sirisë rrëzuan 13 raketa amerikane.

Një reagim karakteristikë ka ardhur nga presidenca siriane.

Ky institucion ka postuar një video në Twitter e cila thuhet se tregon presidentin Bashar al-Assad duke shkuar në vendin e tij të punës, pas sulmit të udhëhequr nga SHBA-të, në përgjigje të sulmit të dyshuar të armëve kimike.

Videoja e shkurtër, e cila zgjat pak sekonda, tregon Assadin në një kostum dhe me një çantë duke ecur në hyrjen me mermer të një ndërtese.

Siç raportojnë mediat, tre janë objektivat e goditur nga sulmi që zgjati për rreth një orë. Një qendër kërkimesh në Damask, një depozitë për armët kimike dhe një qendër komande në Homs.