Në qytetin amerikan Sterling Heights, janë filmuar të shtëna nga të cilat viktima për fat të mirë ka shpëtuar me pak pasoja.

Të shtënat janë kapur nga kamerat e sigurisë, ku shihet i dyshuari duke shtënë në drejtim të veturës së gruas e cila ishte vetëm pak metra larg, transmeton Telegrafi.

“Ka pasur ndërmend të tentojë ta vret atë ditë”, ka deklaruar komandanti i policisë Mario Bastianeli.

Në video shihet viktima duke parkuar veturën në orët e para të mëngjesit, kur një veturë tjetër qëndron prapa dhe pret.

Me të filluar ta lëvizë veturën gruaja, pas saj afrohet një i ri dhe fillon të shtie në drejtim të dritares së veturës – derisa në prapavijë dëgjohen britma.

Për fat të mirë ajo rrit gazin dhe arrin t’i shmanget më të keqes, derisa sulmuesi kthehet në veturën e tij dhe e ndjek nga pas.

“Ishte vullneti i Zotit që ajo të mos vritet. Ka qenë shumë afër, dhe fakti që ia ka huq është mrekulli”, ka thënë Bastianeli.

Mediat amerikane raportojnë se gruaja ka shpëtuar me lëndime të lehta trupore.