Suedia nuk do të marrë pjesë në shpërndarjen e azilantëve

Suedia do të përjashtohet nga sistemi për shpërndarjen e azilantëve dhe do të marrë ndihma për sistemimin e emigrantëve që tashmë kanë mbërritur në këtë shtet, ka deklaruar të martën komisari evropian për Migrim, Dimitris Avramopulos.

“Aktualisht jemi duke punuar në shifrat”, ka deklaruar Avramopulos pas takimit në Stockholm me ministrin suedez të Drejtësisë dhe Migrimit, Morgan Johanson dhe Ministrin e Brendshëm, Anders Igeman.

Avramopulos ka theksuar se detajet e reja do të shpalosen së shpejti, teksa Suedinë e ka përgëzuar për “përpjekjet e mëdha”.

Suedia gjatë javës së kaluar ka bërë të ditur se nuk mund të pranojë më emigrantë dhe
se do të përforcojë dispozitat për azilantë.

Johansson ka theksuar se Suedia gjatë këtij viti ka pranuar gati 150.000 kërkesa për azil, prej të cilave 30.000 janë paraqitur nga të miturit pa prindër apo kujdestarë.