Kur një grua e re zhduket nga shtëpia e prindërve në fshatin Tipperary, kjo nënkuptonte vetëm njërën prej këtyre të dyjave: “Moll Gladney ishte ose shtatzënë, ose kishte vdekur, dhe ishte zor të dihej se cila prej këtyre ishte më e keqe”.

Cila arsyeje mund ta kishte zhgrehur “vogëlushen e mirë” për të braktisur rehatinë edenike të këtyre sukave të buta gjelbëroshe? “Strange Flowers”, i gjashti roman i Donal Ryanit, hapet në fillim të viteve ’70 në zgrip të zhdukjes së Mollit: një krevat i boshtë, një çantë që mungonte, një biletë njëdrejtimëshe e trenit dhe një heshtje e kudondodhur, e tmerrshme, shkruan “The Guardian”, transmeton KOHA. Është një ngashnjim i përsosur për një hyrje. Mbase tejet i përkryer.

Gjysmë dekade më vonë Molli rikthehet po aq papandehur siç edhe ishte tretur, por rri gojëkyçur për largimin e saj. Prindërit nuk e kandisnin dot veten për ta pyetur: “Asnjë pyetje nuk ishte sa duhet pyetje, dhe asnjë përgjigje s’mund të ndryshonte të vërtetën e momentit”.

“Strange Flowers” shtjellon rrëfimin e këtij kthimi të sikletshëm, duke e zbutur disi të fshehtën e Mollit. Zbulesat gëlojnë. Por pyetja që rri pezull mbi këtë roman është nëse ndonjë prej shpjegimeve mund të garojë me të panjohurën e dëlirtë. Sepse, siç shkruan Ryani: një mungesë “është një gjë që s’mund të preket…e panjollë dhe e pakorruptueshme, thuajse e shenjtë”.

Në “Strange Flowers”, Ryani, si Molli fjalëpakë, ka ardhur në shtëpi. Ky është një roman për Irlandën e fëmijërisë së tij – ritmet hermetike, këqyrja e pareshtur dhe hierarkitë klasore në jetën e fshatit. Bota e gjerë mund të ndryshojë shpejt – “gjithë ai muhabet në zemrat dhe kokat e njerëzve u përmbys, ashtu si dhe mënyra si vishen tani dhe muzika e tmerrshme.

Dhe luftërat që po bëhen gjithandej” – por në Knockgowny, e vetmja gjë që lëviz me njëfarë vërtiku është thashethemnaja. Dhe derisa personazhet mund të lëvizin, pjesa më e madhe e këtij rrëfimi mbi stinët në kalim dhe angështinë e pazë gjen vend e tëra brenda një distance sa mban një fermë e vetme me gurë: shtëpia e prindërve të Mollit, Paddy dhe Kit.

Siç e përshkruan Ryani, ky peizazh i “gjelbër dhe i butë”, kapaciteti i tij për veneracion është në shfaqje të plotë. Si gjithnjë, ai sajon fjali të hijshme që të josh ta lexosh në zë.