Kreu i Federatës së Futbollit të Italisë (FIGC), Gabriele Gravina beson se stinori në Serie A të Italisë mund të përfundohet deri në gusht.

Gjitha sportet në Itali janë pezulluar deri më 3 prill shkaku i koronavirusit. Në të vërtetë për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia janë shtyrë edhe Kampionati Evropian i futbollit dhe Lojërat Olimpike Verore.

“Ne do të bëjmë çdo gjë për të kompletuar kampionatet, nëse është e nevojshme do të kërkojmë përkrahje nga UEFA dhe FIFA për të shkuar përtej 30 qershorit dhe të luajmë deri në korrik apo gusht”, ka thënë Gravina për “Radio Marte”, transmeton Koha.net. “Është herët të flasim për një datë, por duhet të mendojmë pozitivisht, po ashtu për shëndetin e italianëve dhe të shpresojmë se situata do të përfundojë sa më shpejt”.

Kreu i FIGC-së javën e kaluar ka thënë se shpreson që kampionati të rikthehet më 2 maj.

Sot është paraparë një takim mes përfaqësuesve të ligës, federatës, unionit të lojtarëve, trajnerëve dhe qeverisë për të ardhmen e futbollit.

“Ka shumë çështje që duhet biseduar”, ka thënë Gravina.

Sa i përket kampionatit, Gravina e ka përjashtuar mundësinë e anulimit apo t’i jepet titulli liderit Juventusit.

“Do të qonte në një skenar të pakëndshëm. Për aq gjatë sa të jetë e mundur, do të vazhdoj të refuzoj këtë skenar”, ka thënë Gravina.