Pas suksesit të jashtëzakonshëm me Liverpoolin në edicionin që lamë pas, Mohamed Salah është angazhuar me kombëtaren e Egjiptit.

Përfaqësuesja e tij ka zhvilluar një ndeshje miqësore kundër Guinesë, të cilën fitoi me rezultat 3-1. Egjipti është nikoqir i Kupës së Kombeve të Afrikës që do të fillojë gjatë këtij muaji (21 qershor), ndërsa ky takim ishte në kuadër të përgatitjeve para fillimit të turneut.


Salah hyri në lojë pas një ore lojë, ndërsa portieri i Guinesë, Aly Keita, kishte bërë disa pritje të jashtëzakonshme dhe rezultati ishte i barabartë (1-1, nga golat e Marwan Mohsen dhe Sory Kaba).


Porse, 27-vjeçari u kujdes për spektakël duke e kaluar mbrojtjen kundërshtare, pastaj e kaloi edhe portierin, i cili u hodh disa herë që t’ia merrte topin, teksa anësori u kthye prapa dhe goditi nga një kënd i ngushtë për ta përplasur topin në shtyllë.


Këtë moment e shfrytëzoi Ahmed Ali Kamel, i cili e pranoi topin e kthyer dhe e dërgoi në portë. Më pas, një tjetër gol për Egjiptin e shënoi Omar Gaber./Telegrafi