Ndarja e specializimeve që ndodhi nga Ministria e Shëndetësisë vetëm e ka degraduar cilësinë e këtij procesi dhe nuk e ka penguar ikjen e mjekëve të rinj. Nga janari e deri më sot prej 76 mjekëve që kanë kërkuar vërtetimin nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) për punësim jashtë vendit, 31 prej tyre janë specializantë të rinj.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës, me temën “Kualiteti i shkollimit universitar dhe parauniversitar të mjekëve”.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu tha se institucionet e Kosovës kanë bërë shumë pak në ngritjen e kapaciteteve humane në sistemin shëndetësor të Kosovës, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.

Derisa procesin e specializimeve e ka konsideruar të degraduar, Sejdiu deklaroi se ky proces nuk e ka ndal trendin e ikjes së mjekëve të rinj nga Kosova. Sipas tij prej 76 mjekëve që kanë kërkuar vërtetim, 31 janë specializant të rinj.