Mjekët që janë në proces të specializimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po ankohen se nuk janë duke u paguar me rregull.

Ata specializimin e kishin filluar si grupi i specializantëve pa pagesë por më vonë kanë hyrë në një listë pagash në formë subvencioni nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ata përmes një letre i janë drejtuar Kryeministrit Ramush Haradinaj, Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe Ministrit të Shëndetësisë Uran Ismailit duke kërkuar që të definohet qartë pozita e tyre.

“Në kohën kur është hapur konkursi i specializimit ne specializantët që jemi pa pagë të rregullt nuk e kishim fatin të jemi pjesë e specializimeve me pagesë siç e kishin shumica e njerëzve me prioritet, derisa ishim të detyruar të përcaktohemi për specializim pa pagesë pasiqë shumica nga ne kemi pritur 3-5 vjet që të hapet një konkurs për specializim derisa dihet që ne studimet bazë i kemi 6 vjet duke i’a shtuar këtu edhe një vit praktikë dhe një vit përvojë pune” thuhet në letrën e tyre.

Mjekët thonë se mbajnë kujdestari dhe se për ato nuk po paguhen, ndërsa sipas tyre ekziston një grup i specializantëve që nuk janë paguar fare për kujdestaritë.

Ministria e Shëndetësië tha se ajo i paguan nga dy kujdestari të gjithë specializantve ndërsa për më tepër se këto përgjegjëse është Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

“Për kujdestaritë më tepër se ky numër, vendos SHSKUK-ja bazuar në mundësitë financiare që i kanë ata për t’i paguar kujdestaritë e specializantëve.MSh është në proces të verifikimit të të gjitha pagesave për kujdestaritë për specializantët, me qëllim që në raport me ta t’i kryejë të gjitha obligimet. Asnjë specializanti, MSH nuk do t’i mbetet borxh për pjesën e specializimeve qe i paguan ministria.” thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Specializantët thonë se letrën e kanë dërguar duke u bazuar në premtimet e Kryeparlamentarit Kadri Veseli se nuk do të ketë asnjë mjek, specializant apo specialist në Kosovë që nuk do të paguhet.

“Të nderuar shumica nga ne mbajmë familje dhe kemi fëmijë të vegjël, punojmë 40 orë në javë, shtojani këtu edhe kujdestaritë, ndërsa të mos kemi pagë të rregullt nuk është aspak humane të rrijmë në mëshirë të fatit kur shumica e kolegëve tonë kanë ikur në Gjermani ose janë në kurse duke u përgatitur për ikje në Gjermani ose ndonjë vend tjetër si pasojë e kësaj gjendje” thuhet në letrën e tyre.

Kallxo.com mëson se specializantët po planifikojnë mbajtjen e protestave për të kërkuar definimin e situatës dhe të kërkojnë të paguhen për shërbimet që ofrojnë.