“Stuhia e Kuqe” e fitoi ndeshjen vendimtare ndaj Sllovakisë me rezultat të thellë 5:0, shkon në të tetën e finales së Euro 2020 si e dyta e Grupit E.

Kombëtarja e Spanjës është kualifikuar me vështirësi në të tetën e finales së Euro 2020.

“Stuhia e Kuqe” e fitoi ndeshjen vendimtare në Grupin E kundër Sllovakisë me rezultat bindës, 5:0.

Spanjollët i kishin dy barazime dhe ju nevojitej gjithsesi fitorja sonte.

Dhe, ata e arritën këtë përmes dominimit që e patën ndaj sllovakëve, ndaj të cilëve shënuan plot pesë herë.

Portieri Martin Dubravka e priti penalltinë e Alvaro Moratas në minutën e 12-të të takimit.

Por, portieri sllovak më pas ishte fytyra tragjike e ndeshjes, shkruan Gazeta Express.

Ai e shënoi një autogol të pabesueshëm në minutën e 30-të.

Në fakt, Pablo Sarabia e qëlloi tërthorësen dhe më pas, portieri duke u munduar ta çonte topin mbi portë, e futi atë në rrjetë.

Spanjollët e gjetën golin e dytë në minutat shtesë të pjesës së parë përmes qendërmbrojtësit Aymeric Laporte, i cili shënoi me kokë.

Kurse, golin e tretë skuadra e Luis Enrique e shënoi me anë të Sarabias në minutën e 56-të pas asistimit të Albas.

Spanjollët nuk u ndalën me kaq.

Ata e realizuan edhe golin e katërt me anë të Ferran Torres, në minutën e 67-të.

Kurse, Juraj Kucka shënoi autogol në minutën e 71-të.

Spanja e mbylli fazën e grupeve në vendin e dytë me 5 pikë.

Nga ana tjetër, sllovakët me këtë humbje mbesin pa u kualifikuar në të tetën e finales.

Ata e mbyllën fazën e grupeve në vendin e tretë me tri pikë.