Një vend kampingu në plazh në Spanjë, që është destinacion i njohur turistik, është izoluar ku 250 turistëve i është ndaluar të largohen, pasi dy nga pushuesit kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, njofton “Daily Mail”.

Destinacioni i kampingut “Talai Mendi”, në Zarautz, në bregdetin bask, menjëherë është mbyllur pasi është konfirmuar rasti i parë me COVID-19. Një person i dytë më pas ka rezultuar pozitiv dhe tash 250 turistët, kryesisht të rinj, përfshirë edhe fëmijë, kanë mbetur të ngujuar.

Policia është ftuar për të parandaluar personat që të hyjnë apo largohen pa leje.

Ky vend kampingu vetëm sa ishte hapur pas mbylljes së Spanjës shkaku i koronavirusit. Autoritetet mjekësore kanë filluar testimin e turistëve të mërkurën dhe po shpresohet që sot të dalin rezultatet. Turistëve do t’u jepet zgjedhja që të shkojnë në shtëpi apo të qëndrojnë brenda kampit në karantinë për shtatë deri 14 ditë.

Kryebashkiaku i Zarautzit, Xabier Txurruka, ka thënë se shumica e klientëve janë të rinj, përfshirë fëmijë, për shkak të popullaritetit që ka ky vend. Ai nuk beson se ka shumë turistë nga jashtë rajonit.

Stafi në kamp po ashtu po testohet, ndërsa baret dhe restorantet janë mbyllur, por hotelet dhe kafenetë po mundohen të ndihmojnë duke dërguar ushqime te turistët.

Një nga pak persona që ka qenë në gjendje të largohet, ishte një kuzhiniere që jeton në Zarautz.

“Të gjithë na zuri në befasi. Me të përfunduar dita ime e punës, unë duhej të nisesha për në shtëpi në ora 3 pasdite, por u desh të prisja deri në 6 për t’u testuar”, ka thënë ajo.