Kriza e Kosovës në fund të shkurtit të 1998-s ka eskaluar në luftë tek “Gjashtë Lisat”, vend në Likoshan të Drenasit ku një patrulle të policisë serbe i kishte organizuar një pusi Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Pas luftimeve të zhvilluara në mes tyre, Serbia i ishte përgjigjur me masakër në civilë. I kishte masakruar dhjetë anëtarë meshkuj të familjes së madhe Ahmeti, të cilët policia i kishte marrë me vete në momentin e tërheqjes. Më i vogli nga ta ishte Elhamiu, atëkohë 15 vjeç, shkruan “Koha Ditore”.

24 të rënët ishin pjesëtarë të familjeve Ahmeti, Sejdiu, Nebihi, Rexhepi, Gjeli, Fazliu, Rama e Behrami.

Familjarët për tre ditë nuk dinin për fatin e tyre, dhe nuk donin t’i besonin gjurmëve që ishin lënë tek një shkurre pranë dyerve të oborrit. Përpos gjakut, dhëmbëve e një pjese të kafkës, aty kishin mbetur edhe pjesë truri.

Në këtë aksion, të mbështetur edhe nga helikopterë, ishin vrarë 24 shqiptarë në Likoshan dhe në fshatin fqinj të Komunës së Skenderajt, Qirez.

Midis viktimash ishte edhe Rukije Nebihu, një grua shtatzënë. Asaj ia kishin vrarë bashkëshortin dhe kishin shtënë edhe në vjehrrin, i cili i kishte shpëtuar plagëve. Hata, e vjehrra e Rukijes, kishte qëlluar në dhomën ku kishin ndodhë vrasjet. Edhe fëmijë kishte aty.

“Më 28 shkurt e 1 mars, në përgjigje të pusive të UÇK-së ndaj policisë, forcat speciale sulmuan dy fshatrat fqinjë Qirez dhe Likoshan”, thuhet në raportin e “Human Rights Watch” lidhur me krimet e luftës në Kosovë.