Sllovenia nga dje udhëheq me Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian.

Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë në një përgjigje për Gazetën Express thonë se ky shtet e përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën por që vendimi është në duart 27 vendeve anëtare.

Nga 1 korriku deri më 31 dhjetor 2021 Sllovenia do ta drejtojë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Presidenca sllovene ka publikuar programin gjashtë mujor me objektivat kryesore. Në program thuhet se forcimi i perspektivës evropiane dhe zhvillimi i qëndrueshëm i Ballkanit Perëndimor do të jetë një detyrë qendrore gjatë drejtimit të Sllovenisë me Këshillin e Bashkimit Europian.

Megjithatë, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk përmendet në programin e publikuar.

Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë në një përgjigje për Gazetën Express thonë se shteti i tyre përkrah liberalizimin e vizave por që vendimi është në duart e 27 shteteve anëtare të Unionit Europian dhe se Kosova duhet t’i bind shtetet skeptike.

“Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe të liberalizimit të vizave me BE-në për Kosovën dhe e mbështesim atë. Vendimi tani është në duart e vendeve anëtare të BE. Është e rëndësishme që qeveria e Kosovës të zhvillojë dialog të rregullt me vendet anëtare “skeptike” të BE dhe t’i bindë ato. BE-ja përbëhet nga 27 shtete anëtare dhe të gjithë duhet të jenë të një mendimi për vendimet”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së sllovene.

Një vit më parë Gjermania kishte marrë drejtimin e Presidencës së Këshillit Europian dhe shtyrja përpara e liberalizimit të vizave për Kosovën nga shteti gjerman ishte parë me optimizëm shkaku i përkrahjes së vazhdueshme të Gjermanisë që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave, megjithatë s’pati rezultat.

Pritet të shihet nëse Sllovenia do ta fus liberalizimin e vizave në agjendën e Këshillit të BE-së gjatë gjashtë mujorit të dytë të vitit 2021.

Këshilli i Bashkimit Europian është njëri nga tri institucionet kryesore vendimmarrëse të BE-së. Ky institucion përbëhet nga udhëheqësit shtetërorë të 27 vendeve të Bashkimit Evropian.

Dy shtetet skeptike për dhënien e dritës së gjelbër për liberalizim të vizave për Kosovën janë Franca dhe Holanda.

Kryeministri Albin Kurti gjatë takimit që ka pasur me presidentin francez Emmanuel Macron në Paris tha se Franca nuk dha zotim se do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën.

“Sigurisht që qytetarët e Kosovës janë të interesuar për liberalizimin e vizave dhe është e padrejtë që Kosova pas plotësimit të kritereve ende nuk ka viza. Në vizitën tonë kjo çështje është trajtuar. Jemi të sigurt që e kanë marrë mesazhin tonë, por nuk ka zotim që do të ketë liberalizim të vizave”, kishte thënë Kurti nga Parisi.