SKV: Fituesit në UP, produkt i ndërhyrjes së pushtetit

SKV: Fituesit në UP, produkt i ndërhyrjes së pushtetit

Universiteti është duke e humbur mundësinë e reformimit, reformim ky që nisi të shihej si mundësi pas rrëzimit të rektorit Ibrahim Gashi.

Mundësia e reformimit të UP-së po humbet pasi që pushteti është i njëjti, dallojnë vetëm aktorët (madje pjesërisht), thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Studentore “Studim Kritikë Veprim”.

Pas rrëzimit të rektorit Gashi pushteti filloi të sillej ndryshe në UP. Nuk veproi më në mënyrë të hapur e kryeneçe, por në mënyrë tinëzare e shumë perfide. Tani, në zgjedhjet e fundit studentore organizatat e kapura nga SHIK-u bënë koalicion parazgjedhor mes vete, por pa bërë bujë.

Po ashtu, zgjedhjet studentore u organizuan në janar, pra në kohen kur studentët më së paku mund të merren me to. Edhe dalja ishte e ulët. Organizatat OPS dhe UPSK, të cilët veç pak muaj më parë bënë vizitë edhe te Kadri Veseli, fituan shumicën e votave. Ata po përgatiten për kapjen e re të Universitetit, pasi që nuk ia dolën që ta rrëzojnë me puç Rektorin Ramadan Zejnullahu.

Pas zgjedhjeve studentore tani po zgjidhen edhe dekanët që pasojnë zgjedhjet në stafin akademik dhe duke pasur parasysh që ta zëmë në Fakultetin Filozofik dekan u rizgjodh Bujar Dugolli e në atë të Edukimit, Ethem Çeku, nuk do koment se sa antireformues e i rrezikshëm në thelb është krejtë procesi zgjedhor i këtij viti.

Në mbledhjen e parë të senatit, 19 senator nuk kanë gradën e profesorëve të rregullt, përfshirë këtu edhe dy dekanët e lartcekur. Parlamenti studentor nuk arriti ti dërgoj 6 senator që përbëhen nga studentët për shkak të mos dakordimeve të vetë këtyre organizatave të instrumentalizuara të cilat po udhëheqin me parlamentin e studentëve.

SKV-ja së bashku me organizatat tjera studentore si USPE, Paqja Studentore dhe Reforma kanë arritur që të bashkëpunojnë dhe të dalin fitues ndaj organizatave të pushtetit në 7 prej gjithsej 13 këshillave studentore. Pra, në UP është formuar një bllok i organizatave të cilat janë bërë bashkë që ta mbrojnë autonominë e UP-së nga klanet e pushtetit.

Ky bllok studentorë do të bëjë gjithçka që të mos lejoj ndërhyrjen e pushtetit në UP. Kërkojmë edhe nga Rektorati e posaçërisht nga Rektori Zejnullahu që të bashkëpunojë me ne për denoncimin e luftimin e kësaj dukurie që po ndodh.

Ndërhyrja e pushtetit në UP ndodh qysh nga paslufta dhe vetëm se ndërron formë. Ndërhyrja që po ndodh sot vjen nga një Qeveri e udhëhequr nga Isa Mustafa bashkë me shërbimin sekret të Hashim Thaçit e Kadri Veselit dhe të Listës Serbe që po e bllokon reformën në Arsimin e Lartë. Prandaj, bashkëpunimi ynë studentor, duke kundërshtuar pushtetin në UP do të jetë shumë aktiv në kundërshtimin e zbatimit të marrëveshjeve me Serbinë e Malit të zi pasi që jemi të bindur se vetëm një Republikë me Sovranitet mundëson ekzistimin e Universitetit autonom!