Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në takim Ministrin e Punëve të Brendshme, Skender Hysenin.

Në takim është diskutuar për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Komunën e Podujevës, e cila është cilësuar si gjendje e qetë dhe e sigurt.

Ministri i punëve të Brendshme, Skender Hyseni ka thënë se gjendja në Komunën e Podujevës ështe shumë e sigurt, ku mund të konsiderohet si komuna më e suksesshme në këtë drejtim.

Ai ka bërë thirrje që të ruhet shoqëria nga ekstremizmi fetar, sepse sipas tij feja po keqpërdoret për qëllime financiare nga grupe të caktuara.

Ai ka shtuar se Ministria që ai drejton do të trajtojë me urgjencë të gjitha kërkesat jo vetëm të komunës së Podujevës por edhe të komunave tjera, si dhe do t’ju ofrojë përkrahje, sepse si institucione duhet të merremi me masa parandaluese, e jo me pasoja.

Në anën tjetër, Kryetari i Komunës së Podujevës, ka thënë se në bazë të statistikave që merren nga Policia gjendja në komunën e Podujevës është stabile, ku në dy vitet e fundit nuk është raportuar për vrasje.

Veliu më tej ka thënë se Podujeva është ruajtur nga ndikimet ekstreme fetare, ku janë në bashkëpunim me imamë dhe institucione përgjegjëse.

Përveç kësaj, Kryetari i komunës, si shqetësim ka adresuar edhe problemet me të cilat përballet Brigada e Zjarrfikësve, ku mjetet me të cilat punon kjo brigadë janë të gjitha të vjetruara dhe paraqesin problem në rastet e ndërhyrjeve, ku gjatë sezonës së verës, për shkak të temperaturave të larta, këto raste kanë shënuar rritje.

Në takim të pranishëm ishin edhe Kryetari i Bashkësisë Islame në Podujevë, Bekim Jashari, Komandanti i Policisë në Podujevë, Bekim Bislimi, zyrtarë komunalë si dhe pjestarë të komuniteteve tjera./Llapi.info