Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili ka reaguar për mos-vaksinimin e qytetarëve kundër koronavirusit gjatë ditës së sotme.

Ismaili nëpërmjet një postimi në Facebook tha se për këtë dështim, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia duhet të jap përgjegjësi vetë, ose sipas tij, të kërkojë përgjegjësi nga të tjerët.

“Në njërën anë i shtrëngojnë masat, e në anën tjetër pushojnë. Përderisa Kosova është vendi i vetëm që ka vaksinuar më së paku, për shkak se ende nuk ka siguruar blerjen e vaksinave, e kur edhe ato pak vaksina donacion që kemi – nuk u jepen qytetarëve të dielave, me arsyetimin se është ditë pushimi, është e pafalshme”, shkroi Ismaili.

Shkrimi i plotë i Ismailit:

Për besë, e tmerrshme. Të mos arrihet organizimi i një orari me ndërrime për vaksinim, në mënyrë që ky proces të mos ndalet për asnjë ditë, është mungesë e aftësive menaxheriale dhe moskokëçarje ndaj shëndetit të qytetarëve dhe ndaj ekonomisë së vendit.

Në njërën anë i shtrëngojnë masat, e në anën tjetër pushojnë. Përderisa Kosova është vendi i vetëm që ka vaksinuar më së paku, për shkak se ende nuk ka siguruar blerjen e vaksinave, e kur edhe ato pak vaksina donacion që kemi – nuk u jepen qytetarëve të dielave, me arsyetimin se është ditë pushimi, është e pafalshme.

Për këtë dështim, Ministri Arben Vitia ose duhet të japë përgjegjësi vetë, ose duhet të kërkojë përgjegjësi nga të tjerët. Fshehja në kohë krize nuk është zgjidhje.