S’ka ndryshim të Ligjit për teatro deri më 2017

Komuniteti artistik s’po bëhet rehat me Ligjin për teatro. I miratuar 4 vjet më parë për ta zëvendësuar atë të 2005-s, ai cilësohet si pengesa kryesore për zhvillimin e jetës teatrore. Por vetë ministri i Kulturës, Kujtim Shala, i ka shuar shpresat e tyre për plotësim-ndryshim të Ligjit për teatro para vitit 2017.

Pas kërkesës që ka pranuar kabineti i tij për ndërhyrje në këtë Ligj, ministri Shala ka thënë se për këtë vit nuk mund të bëhet asgjë. Kërkesa është bërë nga Shoqata e Artistëve të Teatrit e Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.

“I çmoj për punën që e bëjnë dhe që evidentojnë probleme. Por për këtë vit plani legjislativ është miratuar. Ligji për teatro nuk është pjesë e planit legjislativ”, ka thënë ministri Shala. Sipas tij një kërkesë e tillë nuk i është adresuar institucionit që ai udhëheq deri më tash.

“Ne nuk kemi marrë paraprakisht një kërkesë të tillë as nga institucionet, as nga Departamenti i Kulturës i MKRS-së e realisht nga askush. Tash duhet të bisedojmë me Shoqatën dhe me palët tjera, por sivjet është e pamundur që në planin legjislativ të përfshihet plotësim-ndryshimi i këtij Ligji”, ka thënë Shala. Sipas tij, duhet zhvilluar diskutime me të gjitha palët e interesuara e pastaj për vitin e ardhshëm në planin legjislativ të përfshihet edhe intervenimi në këtë Ligj.

“Ata janë njerëz që punojnë në këtë fushë dhe nëse evidentojnë probleme i bie që ka probleme”, ka thënë Shala.

Të hënën pos kërkesës në MKRS, ShATK-u ka nisur edhe një komunikatë për media. Sipas komunikatës, në vazhdën e angazhimeve, analizave dhe përpjekjeve për ndryshimin, zhvillimin dhe përmirësimin e gjendjes së teatrove në Kosovë, Bordi Ekzekutiv i Shoqatës ka konstatuar se gjendja e përgjithshme e teatrove në Kosovë vazhdon të jetë e rëndë dhe me prirje për përkeqësim të mëtutjeshëm… (më shumë, sot në “Kohën Ditore”)