Katër ndeshjet e fundit – tri humbje dhe një barazim, ky është bilanci i Llapit në këtë fund sezoni vjeshtor në Superligën e Kosovës. Humbjen në javën e 17-të e pësoi sot në “Zahir Pajaziti” nga Flamurtari me rezultat të thellë 1-4, njofton Llapi.info.

Mysafirët nga Prishtina golin e parë e realizuan në minutën e (28’) nëpërmjet Gentrit Begollit. Pas katër minutash, Shend Kelmendi shënoi për 0-2, rezultat me të cilin ekipet përfunduan pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, llapjanët dominuan me lojë, por ishin kryeqytetasit ata që realizuan sërish duke i ngritur shifrat në 0-3 me anë të Gentrit Begollit, kur po zhvillohej minuta e (75’) e ndeshjes.

Golin e nderit për llapjanët e shënoi Muhamet Hyseni në minutën (89’), ndërsa Festim Krasniqi (90+) vulosi rezultatin përfundimtar 1-4.

Pas kësaj humbjeje befasuese, Llapi tani mbyll këtë edicion vjeshtor në pozitën e shtatë me vetëm 24 pikë të arkëtuara, ndërsa Flamurtari arrin në kuotën 19 pikëve.

Duhet përkujtuar se ekipi i drejtuar nga Tahir Batatina në katër ndeshjet e fundit ka shënuar vetëm tri herë, kurse i ka pranuar plot 11 gola./Lalpi.info