Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se janë duke përcjellë me vëmendje e shqetësim zhvillimet në veri të vendit.

Abdixhiku thotë se “përgjatë kësaj kohe, unë dhe kolegët e mi kemi qenë në kontakt me Kryeministrin Kurti, Kryeparlamentarin Konjufca e me zyrtarë të tjerë qeveritarë”.

“Në këto komunikime, përveç se kemi shprehur shqetësimin për gjendjen e sigurisë, të djemve tanë në uniformë atje, kemi kërkuar dhe qartësime në lidhje me planet e Qeverisë mbi menaxhimin e situatës. Mbi të gjitha, si LDK kemi shprehur gadishmërinë e plotë, për të ndihmuar në të gjitha kapacitetet që kemi, Qeverinë e vendit”, thotë ai.

Kreu i LDK-së, ka propozuar që Kurti të mbledhë spektrin politik në vend, për të diskutuar për situatën në veri.

“Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që Kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapcitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot. Po ashtu, i bëj thirrje, komunitetit ndërkombëtar, aleatëve tanë, që të bëjnë gjithë ç’është e mundur, për të shmangur kërcënimet e Serbisë dhe tensionet në veri të vendit”, deklaroi Abdixhiku.

Ndryshe, sot ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se në ora 01:00 pas mesnate, është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok.

“Sot ora 01:00 pas mesnate, nga një akt kriminal me elemente terroriste të shkaktuar nga persona të dyshimtë është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok.

Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe së shpejti do të kemi më shumë informata. Po ashtu, është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes”, ka njoftuar Sveçla.

Për situatën e krijuar në veri ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili sot rreth orës 16:00 do të mbajë konferencë për media.