Në romanin e Nick Hornbyt, “High Fidelity”, një pronar i një dyqani kasetash me emrin Rob Fleming përkujton një ndarje të pikëlluar duke e riorganizuar koleksionin e tij të vinilit. Ai vendos të rendis incizimet e tij jo në mënyrë alfabetike, por personale. Pasi mbaroi, ai “u mërdhez me një ndjesi të vetes, për shkak se kjo, pas të gjithave, është ajo çfarë unë jam”.

Që ai vetëm të shquajë renditjen është poenta e ushtrimit. “Nëse dua të luaj, le të themi, ‘Blue’ të Joni Mitchellit, më duhet të përkujtoj se e kam blerë atë për dikë në vjeshtën e 1983-s, dhe mendova që më mirë t’ia jepja asaj, për arsye që vërtet nuk dua t’i përmend”.

Në një mënyrë, libri i ri mbresëlënës i Judith Flandersit “A Place for Everything: The Curious History of Alphabetical Order” është një përsiatje mbi detyrën e Robit: çfarë nënkupton mënyra se si e rendisim dijen për atë se si e shohim vetë dijen?

Zbulimet vitale për epokën e informacionit, si shtypi i shkruar dhe transistori, nuk krijuan dije, por, më tepër, mënyra të reja për t’iu qasur asaj. “Pa përzgjedhje”, shkruan Flanders, historiane sociale dhe kërkuese në Universitetin e Buckinghamit, “e gjithë dija në botë do të kruspullohej në rafte të mëdhenj e të paprekur librash, krejt të pagjendur, të palexuar e të panjohur”.

Libri i saj qëmton rritjen e alfabetizimit disa mijëra vjet pas lindjes së alfabetit në shkretëtirën e Egjiptit të Sipërm.

Ndonjëherë, shpjegon Flanders, “rendi alfabetik dukej si rezistencë, madje edhe kryengritje, kundër rendit të krijimit hyjnor. Apo mbase injorancë: një autor që vendoste angeli, engjëj, para deus, Zotit, vetëm pse A është para D, ishte një autor që kishte dështuar të kuptonte rendin e universit” (Harvardi dhe Yale e shekullit 18 e kuptonin rendin e universit të tyre, duke zgjedhur listimin e studentëve sipas pasurisë së familjeve të tyre dhe pozitës sociale).

Samuel Taylor Cloeridge e qesëndiste Encyclopaedia Britannican e alfabetizuar si “një alamet përmbledhjeje e palidhur…në një rend të përcaktuar nga rastësia e shkronjave nistore”. Por një enciklopedi e renditur alfabetikisht ishte tamam moderne, shpjegon Flanders, duke nënkuptuar “një kalim të të kundruarit të botës si vend hierarkik dhe i renditur, i shpjegueshëm dhe i kuptueshëm vetëm nëse një person dinte mjaftueshëm, në të kundruarit e botës si një varg i rëndomtë ngjarjesh, njerëzish dhe vendesh”. Asnjanësia e rendit alfabetik u bë cilësia e tij më e mirë.

Duke zhbiruar sistemet e ndryshme organizative si udhëzuesit e predikuesve, doracakët ligjorë dhe librat e rëndomtë, Flanders përimton edhe zbulimin e kartave të treguesve dhe abetaret e fëmijëve.

Ajo merr në shqyrtim paragjykimet e perëndimorëve kundër gjuhëve që nuk mbështeten në alfabetin latin. Gjatë ceremonisë së hapjes së Olimpiadës së 2008-s, në Pekin, fjala vjen, komentatorët amerikanë kishin atë që Thomas Mullaney, profesor i historisë kineze, e kishte quajtur “dështim shpjegues” kur ekipet parakaluan me renditje sipas sistemit kinez të klasifikimit (Greqia dilte e para në çdo Olimpiadë; Pekini, Guineja, Guinea-Bissau dhe Turqia pasonin tutje).