Dy shtetet më të fuqishme në Bashkimin Evropian, Gjermania dhe Franca, u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që sa më parë ta rifillojnë dialogun.

Një thirrje e tillë është bërë përmes një artikulli të përbashkët të ministrave të jashtëm të të dyja vendeve, i botuar ekskluzivisht në Kohën Ditore.

Diplomati francez, Jean-Yves Le Drian, dhe ai gjerman, Heiko Maas, kanë thënë se në Samitin e Parisit, që është paralajmëruar nga presidenti i Francës, mund të varet disponimi për dialog.

“Tani që Miroslav Lajçak ka marrë detyrën, është koha që dialogu të rifillojë. Qëllimi duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, juridikisht detyruese midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila i zgjidh të gjitha çështjet e hapura dhe kontribuon në stabilitetin e rajonit. Presidenti Macron ka deklaruar gatishmërinë e tij për të mbajtur një samit të dytë në Paris. Sidoqoftë, gatishmëria për dialog është një parakusht për këtë”, janë shprehur Le Drian e Maas.

Në letër nuk përkrahet insistimi për marrëveshje të shpejtë, duke theksuar se ky proces nuk mund përfundojë brenda një kohe të shkurtër.

Kurse, kur kanë folur për lehtësimin e dialogut, këta diplomatë kanë thënë se procesi duhet të mbikëqyret nga BE-ja si ndërmjetësues besnik.

Rifillimin e dialogut nga ana e Kosovës, shoqëria civile e sheh si vështirë të realizueshëm në këtë kohë.

Mirëpo, qeveria në detyrë është shprehur e gatshme për vazhdimin e dialogut kurdo që ai rifillon, derisa ka mirëpritur vlerësimin se nuk mund të ketë marrëveshje të shpejtë.

Dialogu është ndërprerë në fund të 2018-s, kur Kosova kishte vendosur tarifën doganore prej 100 për qind për produktet nga Serbia.

Ndërsa në letrën e botuar të shtunën është përshëndetur vendimi i Qeverisë Kurti për heqjen e kësaj tarife, derisa aty nuk është përmendur çështja e reciprocitetit.