Gazeta e Beogradit, “Novosti”, e njohur për politikat e saj redaktuese shoviniste e nacionaliste kundruall Kosovës e shqiptarëve, shkruan sot se veteranë kroatë që paskan marrë pjesë në “dëbimin e mbi 250 mijë serbëve nga Krajina”, tani po stërvitin oficerë të Ushtrisë së Kosovës.

Kjo gazetë përshkruan itinerarin e udhëtimit të këtyre veteranëve nga Kroacia “përmes Malit të Zi dhe me pëlqimin e heshtur të NATO-s”.

“Novosti” thekson se të dhënat për angazhimin e veteranëve kroatë në Kosovë i ka siguruar shërbimi informativ serb, madje sipas saj në këtë punë është përfshirë edhe gjenerali Ante Gotovina, i cili, sipas saj, paska “kryer spastrimin më të madh etnik në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”.

Siç citohen informacionet e Shërbimit serb të Informimit, “Veteranët kroatë ua transmetojnë shqiptarëve përvojat e tyre në aksionet e armatosura të rrufeshme, ua mësojnë taktikat, përkatësisht manovrat e veprimit në territoret e rebeluara. Ky aranzhman, siç supozohet, nuk ka mundur të kalojë pa një marrëveshje politike midis Hashim Thaçit dhe presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviqit, ndërsa përmban rreziqe të mëdha sigurie për popullatën tonë në Kosovë e Metohi, duke pasur parasysh aspiratat e shfaqura të Prishtinës që të pushtojë veriun dhe të rrumbullakojë sovranitetin”.

“Novosti” citon ish-oficerin e KOS-it (ish-Shërbimit të Kundërspiunazhit të ushtrisë së Jugosllavisë – sqarim ynë), Lubo Karanin, sipas të cilit “ekzistojnë lidhje të fuqishme dhe të kahershme mes Ushtrisë kroate dhe të strukturave të armatosura shqiptare në KiM. Gjatë luftës në Kroaci ushtarët e atjshëm i kanë stërvitur instruktorët ushtrisë private amerikane të kompanisë MPRI, të cilët më vonë janë angazhuar edhe për stërvitjen e luftëtarëve shqiptarë”.

“Një numër i madh shqiptarësh po ashtu ka luftuar në radhët e ushtrisë kroate, ndërsa këto lidhje janë ruajtur edhe pas luftës. Përvojat e oficerëve kroatë nga (aksionet) “Stuhia” dhe “Vetëtima” janë posaçërisht interesante për shqiptarët në Kosovë, meqë planifikojnë aksione të ngjashme në veri të Kosovës”, shkruan “Novosti”, transmeton Koha.net.

Gjithnjë sipas “Novostit”, strukturat informative serbe tash e sa kohë disponojnë informacione në lidhje me stërvitjen e pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë të Kosovës që bëhet në bazat “Qyteti i Filmit” (Film siti) në Prishtinë, dhe në Pomazatin afër Fushë-Kosovës, për çka me logjistikë mbështeten nga Amerika.

“Qëllimi” i përgatitjeve për operacionin me emrin e koduar “Shpata e artë” dhe që nënkupton marrjen efikase të veriut të Kosovës dhe në këtë mënyrë rrumbullakimin e sovranitetit dhe vendosjen faktike të pushtetit në gjithë territorin “, siç e quan Republikën e Kosovës kjo gazetë, ”e Krahinës. Në këtë mënyrë serbët nga veriu atëherë do të shkëputeshin nga Serbia (siç e quan gazeta – qendrore), që do të shkaktonte ndjenjën e panikut dhe defetizmit, madje edhe braktisjen e këtij territori”, shkruan “Novosti”.