Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha sot se “Beogradi është gjithnjë e më i bindur se autoritetet aktuale të Prishtinës qëndrojnë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe se pret që organet hetuese të Serbisë së shpejti të kenë rastin të ofrojnë më shumë të dhëna në lidhje me këtë rast”.

Agjencia serbe e lajmeve, FoNet, përmes një deklarate me shkrim thekson se “Serbia askënd nuk po e kërcënon dhe se, për dallim nga Prishtina, respekton të gjithë qytetarët e vet, ndërsa serbët në Kosovë nuk duhet të shqetësohen nga ‘vringëllima e armëve të Thaçit’, meqë shteti do të kujdeset në mënyrë përkatëse për të ardhmen dhe sigurinë e tyre”, transmeton Koha.net.

Duke theksuar se dëshira e Thaçi për vazhdimin e dialogut është “aktrim i rremë dhe i tejdukshëm” dhe se politika e Prishtinës është “politikë e së kaluarës”, Gjuriq ka shtuar se Beogradi do të vazhdojë të luftojë për të ardhmen e të gjithë qytetarëve të vet, përfshirë këtu edhe qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh vendqëndrimin, fenë e nacionalitetin. “Do të luftojmë edhe për të ardhmen dhe për një jetë më të mirë të qytetarëve tanë shqiptarë në komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, të cilët asnjëherë nuk do të jenë të padëshiruar e të diskriminuar ashtu siç janë të padëshiruar e të diskriminuar serbët në Kosovë nga regjimi i Prishtinës”, është shprehur Gjuriq.