Autoritetet e Kosovës, me kryeparlamentarin Kadri Veseli në krye, gjatë gjithë kohës mbajnë kontakte me përfaqësuesit e shqiptarëve në jug të Serbisë, siç e quan Beogradi zyrtar Luginën e Preshevës

Kështu shkruan gazeta “Blic”, sipas të cilës Veseli në këtë mënyrë kontrollon situatën dhe përgatitet për aksione eventuale me synim të marrjes së kontrollit në komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegje, nëse ndonjëherë krijohen kushtet për një gjë të tillë.

“Veseli gjatë karrierës së tij në krye të shërbimit të fshehtë jolegal të sigurimit, SHIK-ut, synon të krijojë nukleusin e organizatës dhe të përgatisë kuadër për njëfarë shërbimi informativ shqiptar të ardhshëm, i cili në momentin e përshtatshëm do të legalizohej dhe të infiltrohej në valën e madhe në hapësirën e Serbisë, që kufizohet me Kosovën e Metohinë, i cili është i banuar me shqiptarë, me qëllim të organizimit të aksioneve diverzante-terroriste, ose me qëllim të organizimit të kryengritjes së armatosur”, shkruan “Blici” duke u thirrur në burime anonime nga strukturat e shërbimit informativ.

Si një nga bazat e shërbimit ilegal SHIK në jug të Serbisë, kjo gazetë përmend Këshillin Komunal për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Bujanoc, në krye të të cilit është Shaip Kamberi “i cili mban kontakte me Xhumshit Osmanin, udhëheqës i degës së SHIK-ut në Gjilan”.

“Anëtarët e Këshillit janë të angazhuar për mbledhjen e të dhënave mbi strukturat e sigurisë dhe rrethanat politike e të sigurisë në jug të Serbisë e më gjerë”, citon “Blic” bashkëbiseduesin anonim.

Burimi i gazetës shton se Veseli në shtator të vitit 2016 ka pasur në Prishtinë takime me përfaqësuesit e shqiptarëve nga Bujanoci dhe liderët e shqiptarëve nga Presheva.
Veseli u ka dhënë instruksione shtesë liderëve shqiptarë në jug të Serbisë që të jenë unikë.

“Edhe sot, në çdo moment, Veseli përcjell me kujdes çdo gjë që ndodh në jug të Serbisë, i gatshëm që të reagojë, dhe ne e dimë të gjithë çfarë do të thotë kjo”, citon “Blic” burimin.