Qeveria e Kosovës mori vendim edhe zyrtarisht për kufizim të qarkullimit në katër komunat veriore, atëherë kur në veri të vendit kishte filluar tashmë zbatimi i urdhrit të zv.kryeministrit Goran Rakiq, që erdhi pas rekomandimit të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, raporton Gazeta Express.


Vartësi i kryeministrit të Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, Goran Rakiq, përmes një konference të jashtëzakonshme nga veriu i vendit ditë më parë dha lajmin se katër komuna me shumicë serbe hyjnë në karantinë pas shtimit të rasteve me koronavirus. Sipas vendimit të tyre ndalohen qarkullimi nga ora 21:00 deri në 5:00 dhe qarkullimi nga njëra komunë në tjetrën.

Lista Serbe reagoi duke thënë se vendimi ishte marrë në Qeverinë e Serbisë, e me aminin e presidentit serb, Aleksandër Vuciq, derisa, institucionet e Kosovës atë natë nuk dolën me deklaratë për të sqaruar se çka në të vërtetë kishte ndodhur kur ishte marrë vendim nga veriu i vendit për karantinë, e jo siç ndodh zakonisht kur bëhen kufizimet në mbledhje të Qeverisë.

Madje, pak orë para se Rakiq të dilte me konferencë për media, ishte vetë presidenti serb që kishte folur për rastet me koronavirus në veri të Kosovës.

“Situata në veri të ‘Kosovës dhe Metohisë’ është më e vështirë sesa ishte dhe ata do të ndërmarrin masa kufizuese në përputhje me vendimet e qeverisë serbe”, kishte thënë Vuciq.

Vendimet e marra i arsyetuan të nesërmen nga Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje për Gazetën Express.

Në dikasterin që udhëhiqet nga Armend Zemaj thanë për Gazetën se ishin kryetarët e komunave veriore që kishin kërkuar kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

“Duke qenë që në komunat në veri të Kosovës është vërejtur një rritje e numrit të personave të infektuar nga Covid-19, kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të kufizojë lëvizjen e qytetarëve në këto komuna dhe të bëjë karantinimin e tyre”, thanë nga MSH’ja.

Vendimi për karantinim, hyri në fuqi që nga dje, e qytetearët e katër komunave veriore nga ora 21:00 deri në 05:00 të mëngjesit e patën të kufizuar lëvizjen.

Qeveria e Kosovës zyrtarisht reagoi për këtë cështje gati dy ditë pasi vendimi veçse kishte filluar të zbatohet në veri.

Përmes një komunikate nga ekzekutivi, sic edhe ndodh zakonisht kur merren kufizime për lëvizje në pjesë të caktura, nxorri një vendim ku thuhet se nga 8 korriku kufizohet lëvizja në katër komuna të veriut.

Vendimi është i plotëfuqishëm për 14 ditë, derisa, më vonë do të bëhet përsëri rivlerësimi i gjendjes.

Në arsyetimin e Qeverisë së Kosovës, thuhet se ministri i MSH’së për këtë cështje kishte marrë kërkesë nga kryetarët e komunave.

Për këtë vendim të Listës Serbe, të marrë nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Rakiq, pa një vendim në qeveri kanë reaguar edhe partitë opozitare. Sipas opozitës, kryeministri Avdullah Hoti duhet që të dalë me një vendim për shkarkimin e tij. Të njejtën kërkesë e ka pasur edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani.