Jashtë dritares sime rrugët duken të qeta, bota e çuditshme, e ardhmja e pasigurt.

Adhuruesit e teorive të konspiracionit po e bombardojnë hapësirën time të mediave sociale, dhe të gjithë janë bërë ekspertë të pandemisë nga kolltukët.

Por hë për hë, në rregull jam.

Loja e quajtur “Everything” është publikuar tash e një kohë. Herë pas here klikoj në flluskën e mendimeve dhe filozofi Alan Watts më thotë diçka; nganjëherë ndaloj së qeni një “dre i qetë” dhe në vend të kësaj bëhem një sistem diellor apo një organizëm njëqelizor.

Lëvizi përreth kësaj loje të mundësive të pafundme, duke mos bërë shumëçka, herë pas here duke komunikuar me gjëra të tjera. Unë kurrë nuk kam qenë lojtare, por javët e fundit “Everything”- dhe loja e saj simotër “Mountain” (po aq e pakuptimtë, nëse jo edhe më shumë) – kanë qenë gjithçka për mua.

Përthithëse, e thellë, pa kuptim, e bukur, me një kor të tingujve të çuditshëm por të kënaqshëm – të dy këto lojëra më kanë qetësuar dhe më kanë bërë ta harroj ngatërresën dhe dramën e jetës në internet dhe në mbyllje.

“Everything” ishte një lojë që ndau komunitetin e adhuruesve të videolojërave që kur u publikua. Sidoqoftë, për dikë si unë ishte një shpëtim nga trazirat e presionit të punës dhe paranojës në një formë të hollë mërzitje.

Antidot

Ia dhashë nipit dhe mbesës sime. Ata më thanë, marrë parasysh përvojën në këto gjëra: “Kjo të ndihmon për t’u çlodhur para gjumit, sepse nuk nxit emocionim”.

Kur programorja, Brie Code, e shkroi një manifest për kompaninë e saj të re të lojërave “Tru Luv”, ajo nuk mund të dinte se sa konkretisht do ta përshkruante jetën tonë të sotme.