Pandemia e ka shndërruar botën jashtë pragut të shtëpive në një lloj egërsie të re të pabanuar. Hapësirat publike tani janë të pafrekuentuara, përveç nga punëtorët esencialë, derisa shumica është e ngujuar.

Qytetet moderne nuk janë dizajnuar asisoj që ta përballojnë jetën në kohë pandemie dhe kjo mënyrë e kthyer mbrapshtë e jetesës i ka shndërruar ato në një “grumbull hapësirash të çorganizuara e të largëta të dhomave të fjetjes dhe të ndenjes”, thotë Lydia Kallipoliti, asistent-profesoreshë e arkitekturës në “The Cooper Union” në Nju-Jork. Kjo mund të kishte kuptim në kohën kur qytetet ishin të lidhura ndërkombëtarisht me miliona njerëz që punojnë, udhëtojnë, dalin, pinë, kërcejnë e përqafojnë njëri-tjetrin pa u menduar gjatë. Por tani, ajo botë duket të jetë larg.

Alternativat shëndetësore

Shekulli 21 ka qenë dëshmitar i SARS-it, MERS-it, Ebolës, gripit të shpendëve, gripit të derrave dhe tash edhe të COVID-19. Nëse kemi hyrë në epokën e pandemive, si duhet t’i ndërtojmë qytetet e së nesërmes, në mënyrë që hapësirat e jashtme të mos jenë vende që nuk frekuentohen, por vazhdojnë të jenë të sigurta dhe të jetueshme.

Qytetet tashmë kanë shënuar përparime të konsiderueshme në parandalimin e sëmundjeve. “Më herët, jeta në qytete ta shkurtonte jetëgjatësinë… qytetet ishin kurthe vdekjeje”, thotë gazetarja e shkencës dhe autorja e librit “Ethet dhe Pandemia”, Sonia Shah.

Rritja e shpejtë e qyteteve, pas revolucionit industrial, i mbushi rrugët me ndotje, duke u bërë vatra të infeksioneve, në këtë mes sidomos qytetet si Londra dhe New Yorku. Me rritjen e këtyre qyteteve, shpërthimet e tifos dhe kolerës u bënë çështje të mëdha publike, që shtynë në ndërtimin edhe të një sistemi të ri sanitar – atij të kanalizimeve…