Mahisja e cipave të mushkërive quhet pleurit. Pleuriti është një sëmundje serioze që jep shenja lokale, por gjithashtu edhe në tërë organizmin.

Fillon menjëherë me dhimbjen e fortë të gjoksit që pengon frymëmarrjen e thellë, me kollë të thatë, me temperaturë, humbje të oreksit dhe dobësi të përgjithshme.

Në qoftë se nuk mjekohet shpejt, ka mundësi të kthehet në pleurit me ujë, që është një sëmundje mjaft e rëndë e cila në 90% të rasteve shkaktohet nga mikrobi i tuberkulozit.

Në këto raste midis 2 cipave të mushkërive grumbullohet ujë që mund të arrijë deri në 2 litra. Atëherë sëmundja fillon me ngritje të lartë të temperaturës, 39-40 gradë celsius dhe dhimbje të forta të gjoksit.

Me kollë të fortë, të thatë e të mundimshme, i sëmuri ndjen dobësi të madhe, lodhet shpejt, nuk ka oreks, ka vështirësi në frymëmarrje, një ndjenjë rëndimi në kraharor dhe një gjendje jo të mirë të përgjithshme të trupit.

Gjatë sëmundjes këshillohen ushtrime të lehta gjimnastikore, frymëmarrje të thellë që lehtëson tendosjen e mushkërive të shtypura.

Kjo sëmundje shkakton rrahje të forta të zemrës, mavijosje të buzëve, zbehje të lëkurës. Mungesë të oreksit, ka pulse të shpejta dhe ulje të tensionit. Duhet të bëni vizitë të herë pas hershme tek mjeku kompetent.

Trajtime popullore

Që në kohërat e lashta është përdorur për sëmundjet e mushkërive leshi i palarë i deles, sepse ai thithte djersën e trupit që çliroheshin nga ftohja dhe e mbante trupin e ngrohtë, ndërkohë që përthante gradualisht sëmundjen, pasi yndyrat që përmban vetë leshi janë shumë të efektshme për ftohjen.

Fërkimi i gjoksit dhe kurrizit me përzierjen e 1 filxhan vaj ulliri me 1 lugë kafeje me spec djegës të bërë pluhur dhe 1-2 lugë gjelle uthull. Fërkimi bëhet në dhomë të ngrohtë ose pranë zjarrit, derisa të fillojë djersitja. Pas kësaj, gjoksi dhe kurrizi mbështillet me lesh deleje të palarë.

Merrni krunde gruri dhe i lini derisa të zbuten mirë dhe thartohen duke i përzier çdo ditë. Kur uji ku kemi hedhur krundet është thartuar si birra, pimë prej tij 1 gotë në ditë. Kjo recetë iu shërben sidomos të sëmurëve me plagë në mushkëri, për t’u pakësuar dhimbjen dhe për t’ua qetësuar ato.

Lulet e manushaqes ose kërcelli vlejnë për sëmundjet e ftohjes dhe pezmatimin e mushkërive, bronket, astmën e lagur, kollën e bardhë. Përdoret si çaj dhe shurup për fëmijët e vegjël. Merrni 5 lugë me lule ose gjethe me kërcell. I zieni në 500 ml ujë për 10-15 minuta dhe i pini 2 herë nga 1 gotë para buke.

Merrni 30 gramë lule ose gjethe të mëllagës së bardhë, lule trëndafili dhe 10 gramë vjollca trengjyrëshe. Merrni 4 lugë nga përzierja dhe i zieni me 200 ml ujë të porsazaluar. Ena mbulohet me kapak që të ftohet pak. Pasi kullohet, pihet e vakët 4 herë në ditë, duke e ëmbëlsuar me pak mjaltë. Mjekimi vazhdon 5-6 ditë./mapo