Si ta lirojmë shtetin nga uzurpatorët?

Si ta lirojmë shtetin nga uzurpatorët?

Shkruan: Florim ZEQA

Në Kosovën e pas “pavarësisë” çdo gjë është infektuar nga virusi i krimit të organizuar, korrupsionit, nepotizmit, familjarizmit,… si pasojë e kësaj ka humbur besimi në të gjitha nivelet e shtetit duke filluar nga presidenca, qeveria, sistemi i drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, kulturës, sportit, etj.

Ne që po shkruajm e flasim për krim të organizuar në media, duket is paradoks para atyre njerëzve që popullin e vunë në gjumë, për atë arsye na quajnë të “çmendur”. Madje këta “njerëz” nuk i vret ndergjegja për asgjë, madje as atëhere kur vjedhin dhe shesin pasuri të këtij vendi, ndoshta kur tradhëtojnë interesat e vendit ndjejnë edhe kënaqësi shpirtërore…

Mesazhi ynë drejtuar popullit të përgjumur e ka një qëllim të vetëm, zgjimin e ndërgjegjës së fjetur, dhënjën e alarmit pët vetëdijësim përballë rrezikut në të cilin ndodhet shteti, e ardhmja e qytetarëve të këtij vendi.
Jo të gjithë e njohin mirë të vërtetën e hidhur, ajo (e vërteta) duhet të thellohet në mendjen e popullit, për ta kuptuar me qartësi realitetin e krijuar kur qeverisja aktuale si megafon i prishur flet për të “arriturat” e saj që nuk duken askund në horizont, përderisa vazhdon kapja dhe ngulfatja e shtetit, dhunimi i fjalës së lirë nga uzurpatorët dhe plaçkitësit, hajdutët dhe batakçinjët, mashtruesit dhe maskarenjët e të gjitha llojeve dhe ngjyrave.

Kjo është “drita” që “shëndritë dhe ngrohë” zemrat e kosovarëve!

Përderisa në secilin shtet normal, të zhviluar dhe demokratik ndjekën dhe luftohen të korruptuarit, hajdutët, mashtruesit, intrigantët dhe tradhëtarët, në vendin tonë jo vetëm që kultivohet dhe mbrohet me ligj ky soj i keq i njerëzve, ata vendosen në majat e pushtetit !
Shteti i Kosovës është në rrezik, pas rrëshqitjeve drastike të klasës politike kosovare në bisedimet e Brukselit, pavarësia e shtetit e ka humbur çdo kuptim. Ndërkombëtarët shtetin e Kosovës më nuk janë duke e trajtuar si Republikë të pavarur por si një territor multietnik, me sovranitet të dyfisht,…madje disa edhe si koloni të Serbisë.

Për fatin tonë të keq, edhe disa nga mediat janë vënë në shërbim të së keqës (skllavërisë) së tyre, duke mbështetur maskarenjët, hajdutët, grabitçarët dhe uzurpatorët e shtetit.
Eshtë për të ardhur keq, se si disa deputet, intelektual, analist dhe gazetar të “kampit” rugovian të LDK-së,…deri para koalicionit të turpit me PDK-në, mbanin në shënjestër të kritikave keqeverisjen shtavjeqare të PDK-së, ndërsa tani përmes liderit të tyre të shantazhuar kanë dalë në mbrojtje të së keqës së vendit tyre.
Le të delë dikush nga ta dhe të më tregon se çfarë paska ndryshuar për të mirë në qeverisjen e vendit këtyre muajëve të fundit.

A u ndal krimi dhe korrupsioni, a u ndal haraçi, a u ndalen vjedhjet, a u ndalen keqpërdorimet qeveritare, a u ndalen abuzimet me pushtetin, a u ndal tenderomania ?!
Përgjigja është JO, përkundrazi kemi rritje enorme të dukurive negative, duke filluar nga “kryeministri” me tenderin e BMW-së për djalin e tij e deri tek MAXI aferat tenderuese me Bechtel-Enka për ndërtimin e Autostardave më të kushtueshme në rajon.
Në asnjë rrethanë nuk duhet lejuar që interesi shtetëror të rrezikohet shkaku i interesave personale të liderëve të korruptuar dhe shantazhuar, hipokritëve, gënjeshtarëve dhe injorantëve politikë!
Duhet të vie në shprehje elementi kombëtar, elementi intelektual e mbi të gjitha duhet të vihet në jetë vullneti i popullit-Referendumi popullor, si mjet që e përcakton vullnetin e shumicës dhe drejtimin e politikës shtetërore e jo interesat e fqinjëve, e aq më keq të pushtuesit tonë verior.
Fenomeni i servilitetit, i dëgjueshmërisë dhe inferioritetit ndaj të tjerëve është njollë turpi që kjo klasë e dështuar politike i vuri mbarë popullit shqiptar. Shkaku i një klase të shëmtuar politike, kombi ynë nga një komb i vjetër dhe i respektuar evropian rrezikon të rrëshqas në një komb të ç’orjentuar në aspektin politik dhe kulturor.
Në një shoqëri njerëzore në të cilën zëjnë vend kulturat e huaja, të bartura bashk me to edhe dukuritë negative, atëherë asaj shoqërie i rrezikohet identiteti, ndërsa shtetit e ardhmja.
Si pasojë e krimit të organizuar, korrupsionit, poshtërimit, denigrimit social,…së fundmi edhe të ndarjes së sovranitetit të shtetit,…jo vetëm të rinjët, por të gjitha shtresat e shoqërisë një mendje kanë; ikjen sa më parë nga vendi i tyre, ngase nuk dëshirojnë të jetojnë si skllëvër të injorancës dhe minorancës politike të vendit.

Në fund i kam edhe dy fjalë për opozitën. Pa dashur t’i komentoj në detaje deklaratat e opzitës, dëshiroj të theksoj një të vërtetë të madhe. Opozita, që me kaq ngulm (me plotë të drejtë) po kërkon tërheqjen e nënshkrimit nga ana e kryeministrit Mustafa, pse nuk u treguan më syçeltë në parandalimin e atij nënshkrimi, kur paraprakisht (javë të tëra) ka qenë e ditur dita e nënshkrimit të atyre marrveshjeve (me 25 gusht 2015) në Bruksel.
Përveq disa veprimeve simbolike të aktivistëve të Levizjes Vetëvendosje, nuk ndodhi asnjë përpjekje serioze nga ana e opozitës qoftë në parlament apo jasht tij për parandalim të një akti fatkeq për Republikën e Kosovës.

Edhe unë pajtoj me konstatimet se; “Zajednica po e gërryen Republikën,…Qeveria e ‘Zajednicës’ po e zhvleftëson Kuvendin,…etj”, por nuk mund të pajtohem me faktin se Zajednica mund të pengohet me bllokimin e Kuvendit. Ngase, edhe po të donin të tërhiqnin nënshkrimet liderët e shantazhuar, nuk do mund ta bëjnë një gjë të tillë (“Acqua passata”, thotë një fjalë e urtë italiane).
E vetmja mundësi reale dhe kërkesë legjitime e opozitës drejtuat bashkësisë ndërkombëtare, për defunksionalizimin e Zajednicës dhe delegjitimimin e nënshkrimeve në Bruksel nga liderët e korruptuar kosovar (Thaçi-Mustafa me kompani), do të ishte ndëgjimi i zërit të qytetarëve i shprehur përmes Referendumi gjithëpopullor,…shprehje kjo e nivelit më të lartë demokratik, për deklarimin e popujve për rregullim të mbrendshëm politik, territorial dhe vetëvendosje.

Në rast të mohimit të kërkesës për Referendum nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, atëherë më askush nuk mund t’na pengoj në perdorimin e gjitha mjeteve tjera për mbrojtjen e terësisë teritoriale, sovranitetit dhe integritetit shtetëror.

Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.