Kryetari i Nisma-së, dega në Podujevë, Xhemajl Hasani ka reaguar pas vërshimeve të fundit në qytetin e Podujevës, transmeton Llapi.info.

Ai, përmes një reagimi ka akuzuar pushtetin komunal për të cilin ka thënë se përveç degradimit të arsimit, shëndetesisë, bujqësisë e secilit segment shoqërorë, sot, si pasojë edhe e keqmenaxhimit të kanaleve të ujërave, e në veçanti të kanalit apo shtratit të lumit Llap dhe atij Bervenica që bashkohen në fshatin Lluzhan, pati vërshime në disa fshatra të ndryshme të qytetit.

Më poshtë reagimi i Hasanit

Dega e NISMA-së Socialdemokrate në Podujevë po ndjek me shqetësim situatën e krijuar nga vërshimet në komunën e Podujevës.

Përveç degradimeve të vazhdueshme që ky pushtet po i bënë qytetit tonë në ekonomi, në shëndetësi, në arsim e secilin segment shoqëror, sot qyteti u përmbyt edhe nga shiu si pasojë e keqmenaxhimit të kanaleve të ujerave, e në veçanti të kanalit apo shtratit të lumit Llap dhe atij Bervenica që bashkohen në fshatin Lluzhan, ku të prekura jan fshatrat Batllavë, Gërdoc, Bollepojë, Shakovic,Lluzhan, Lupq I poshtëm etj.

Qeverisja e Komunës së Podujevës nuk ka ndërmarrë asnjë masë për ta parandaluar këtë problem që e shoqëron qytetin e Podujevës gjithmonë në kohë shirash, madje edhe sot kur vërshimet kanë ndodhur reagimi i tyre ishte i vonuar dhe qytetarët u vetorganizuan për tu përballur me vërshime.

Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu dhe drejtorët komunal ditë më parë kanë deklaruar që problem i vjetër i qytetit të Podujevës me vërshime është zgjidhur si rezultat i qeverisjes së tyre. Por përmbytjet nuk evitohen me deklarata.

Dega e NISMA-së Social Demokrate, në Podujevë fton udhëheqësinë komunale që të solidarizohen me qytetarët dhe të ndihmojnë në tejkalimin e gjendjes së krijuar nga këto vërshimet.

Xhmejal Hasani, Kryetar i degës, Podujevë.