Shtetet e fuqishme perëndimore, veçanërisht Gjermania dhe Amerika, nuk dorëzohen në idenë se Beogradi dhe Prishtina duhet të nënshkruajnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në modelin e dy Gjermanive

“…nëse arrihet një marrëveshje e tillë, atëherë Serbisë duhet t’i premtohet anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe t’i jepet një datë e saktë se kur do të ndodhë një gjë e tillë”, kështu i kanë thënë burime diplomatike brenda të përditshmes serbe ‘Danas’.

Siç shkruan Danas, një skenar i tillë është tepër i pafavorshëm për Rusinë, shtet ky që e kundërshton mundësinë që Republika e Kosovës të marrë një karrige në Kombet e Bashkuara, qoftë edhe statusin e vëzhguesit.

“Berlini dhe Uashingtoni besojnë se Beogradi dhe Prishtina duhet të nënshkruajnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fund të këtij viti, që do të thotë se Serbia nuk do të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në kombet e Bashkuara”, ka treguar ky burim për Danas, shkruan Periskopi.

Ndërsa, si pjesë e kësaj marrëveshjeje pritet të jenë edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet nga dy kryeministrat e të dyja vendeve, Ana Bërnabiç dhe Ramush Haradinaj.

Një marrëveshje e tillë pritet që të kthejë Serbinë përfundimisht drejt Perëndimit, gjë që do të zemërojë jashtëzakonisht Rusinë, pasi që nuk është në të mirën e saj.

Sipas burimeve të përditshmes ‘Danas’ kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet nga të dyja Qeveritë, në shtatë muajt e ardhshëm, dhe është e mundur që në Serbi të organizohet edhe një referendum për ndryshime në Kushtetutën e Serbisë.

Kur është fjala për pozitën e Moskës, besohet që Rusia do të përkrahë ndonjë zgjidhje për Kosovës, që është e pranueshme për Serbinë.

“Rusia nuk dëshiron të humbasë ndikimin në Serbi, megjithatë nëse nënshkruhet ajo marrëveshje e detyrueshme një gjë e tillë do të ndodhë. Por mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i Rusisë në muajt e ardhshëm”, ka thënë ky burim diplomatik për “Danas”.