Londër, prill (BBC) – Pamja bllokohet. Vjen një jehonë e çuditshme zëri. Krejt t’i ngulin sytë. Takime të ngjeshura dhe sy më sy. Pas këtyre angazhimeve vijnë thirrjet me miqtë dhe familjen. Që prej shpërthimit të pandemisë Covid-19 ka më shumë se kurrë videothirrje, që për disa janë procedurë lodhëse. Por çfarë po i lodh njerëzit saktësisht?

Këtë e di më së miri Gianpiero Petriglieri, një ndihmësprofesor në Insead, që hulumton të mësuarit dhe kryerjen e obligimeve të punës nga distanca, dhe Marissa Shuffler, ndihmësprofesoreshë në Universitetin Clemson.

Biseda me videolidhje kërkon më shumë përqendrim sesa takimet sy më sy, thotë Petriglieri, shkruan sot Koha Ditore.

Në këto biseda njerëzit duhet të punojnë në procesimin e shenjave joverbale, siç janë shprehjet e fytyrës, toni, niveli i zërit dhe gjestet. Vëmendja ndaj këtyre gjërave shteron gjithë energjitë. “Mendjet tona janë bashkë, por jo edhe trupat. Është lodhëse kjo mungesë e harmonisë që shtyn njerëzit që të kenë konflikte ndjenjash. Nuk mund të çlirohesh natyrshëm në biseda”, thotë profesori. Heshtja është një tjetër sfidë, shton ai.

“Heshtja krijon një ritëm natyral në bisedat e përditshme. Sidoqoftë, kur ajo ndodh në videothirrje, nervozoheni me teknologjinë”, pretendon ai. Kjo gjë edhe i vë njerëzit në siklet.

Në një studim të vitit 2014, ndërmarrë nga akademikët gjermanë, thuhet se vonesat në telefon dhe sistemin e konferencave u kanë dhënë konotacion negativ mendimeve. Madje edhe vonesat prej 1.2 sekondash i shtyjnë njerëzit të mendojnë se personat matanë ekranit nuk janë miqësorë ose shumë të përqendruar.

Sipas profesoreshës Shuffler, një tjetër faktor është se njerëzit fizikisht janë në kamerë dhe e dinë se janë në sytë e të tjerëve.

“Kur jeni në një videokonferencë, e dini se krejt po ju shikojnë dhe se jeni në skenë. Këtu ndikon presioni social dhe e dini se duhet ta tregoni veten. E të qenit të mirë në këtë çështje ju han përbrenda dhe ju streson”, thotë ajo. Gjithashtu është e pamundur që njerëzit të mos e shikojnë fytyrën kur shfaqen në ekrane ose të mos jeni të vetëdijshëm se si sillen para kamerës.

Edhe nëse videothirrjet përbëjnë stres shtesë, lodhjet nga bisedat në “Zoom” nuk mund t’i atribuohen këtij stresi. Rrethanat e tanishme – qofshin izolimi, karantina dhe puna nga shtëpia – kanë ndikim. Petriglieri beson se fakti që njerëzit janë të detyruar të realizojnë këto videothirrje mund të jetë faktor kyç.