Shqiptarët “fajtorë kujdestarë” për fushatën kundër “serbizimit”

Mediat në Serbi kanë fajësuar shqiptarët e Maqedonisë për fushatën e organizuar nga VMRO-Popullore kundër “serbizimit” të Maqedonisë. Duke ndjekur logjikën për shqiptarët si “fajtorë kujdestarë”, është raportuar se vendosja e reklamave nëpër rrugë është tendencë për të luftuar serbët e Maqedonisë.

“Ky kjo është reklama që shfaqet në rrugë dhe që supozohet se e kanë vënë shqiptarët”, raporton telegraf.rs

Ky portal shkruan se ky është “provokimi i radhës” ndaj serbëve, ndërsa përmend vizitat e liderëve të Kosovës dhe të Shqipërisë në Shkup dhe organizimin e protestave kundër procesit gjyqësor “Monstra”.

Gjithashtu, theksohet se në disa raste janë sulmuar dhe dëmtuar monumente serbe në Maqedoni, ndërsa këtu kryesisht aludohet në fushatën kundër vendosjes së përmendores së Car Dushanit në Shkup.

Portali shkruan se kjo është një fushatë e cila ka për qëllim që të krijojë kushtet për krijimin e të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”.

Reklamat që i përmend portali serb janë vendosur nga partia e Lupço Georgievskit, në kuadër të një fushate për të kundërshtuar tendencën e partisë maqedonase në pushtet për të krijuar afërsi me Serbinë.

Ndërsa, nga partia maqedonase në pushtet theksojnë se këtë fushatë anti-serbe e udhëheq një “bullgar”, duke theksuar afërsinë e VMRO-Popullore me Bullgarinë. /SHENJA/