387.1 tonë mish janë ndaluar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri për shkak se nuk kishin dokumentacionin e nevojshëm ose ka rezultuar me salmonelë. 234.5 ton mish janë kthyer në vendin e origjinës dhe 152.6 ton të tjera janë në proces për kthim.

AKU shpjegon se mishi (viçi dhe derri) importohej nga Qipro, Kanadaja dhe Brazili, ishte i pasigurt dhe i papërshtatshëm për konsum njerëzor, pasi nga analizat laboratorike ka rezultuar me prezencë të lartë të Salmonella spp.

NJOFTIMI I PLOTË I AKU-së

Kontrollet e kryera nga inspektoret e ushqimit të AKU Durrës në Pikën e Inspektimit Kufitar Durrës gjatë ditëve të fundit kanë konkluduar se disa ngarkesa me produkte importi janë të pasigurta për konsum njerëzor dhe si rrjedhojë kanë vendosur për kthimin e tyre në vendin e origjinës. Më konkretisht:

Tre ngarkesa me sasi totale 74.946 ton “Mish Derri” me origjinë nga Kanadaja, importuar nga subjekti “FRIGO ALB shpk”, rezultuan se nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore dhe kishin mangësi në besueshmërinë e dokumentacionit shoqërues (kryesisht të certifikatës veterinare si dokumenti kryesor i sigurisë së produktit si dhe certifikatat e analizave raportonin prezencë Ractopaminë, një produkt mjekësor veterinar i paregjistruar dhe i ndaluar për përdorim në Shqipëri dhe në BE)

Dy ngarkesa me sasi totale 52.257 ton “Mish Viçi” me origjinë nga Brazili, importuar nga subjekti “Apetit shpk”, në rregjim tranzit në territorin e Shqipërisë me destinacion final Kosovën, rezultuan me mangësi dhe mospërputhje thelbësore në dokumentacionin shoqërues të mallit (çertifikata e origjinës dhe ajo veterinare mbanin të dhëna të ndryshme nga dokumenti i transportit dhe fatura komerciale) çka e bën mallin ushqimor të importuar pa identitet të konfirmuar dhe të pasigurt për konsum.

Më herët, analizat e kryera për disa nga ngarkesat me produkte ushqimore mish të importuar rezultuan me ngarkesë mikrobiologjike (analizat laboratorike raportuan prezencën e Salmonella spp) dhe si rrjedhojë, produkti ushqimor i importuar me këto ngarkesa është i pasigurt dhe i papërshtatshëm për konsum njerëzor. Për ketë arsye dhe referuar bazës ligjore dhe rregullatore në fuqi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi kthimin e këtyre ngarkesave në vendin e origjinës, më konkretisht:

Katër ngarkesa me sasi totale 107.240 ton “Mish derri” me origjinë nga Brazili, importuar nga subjekti “ZICO sh.a.” është finalizuar praktika dhe ngarkesat janë kthyer në vendin e origjinës.

Gjashtë ngarkesa (152.631 ton në total) janë në proces përmbyllje praktike për kthimin ne vendin e origjinës ose asgjësim, më konkretisht:
    51.984 ton “Mish Derri” me origjinë nga Brazili, importuar nga subjekti “AMG shpk”,
    27 ton “Fileto Pule” nga Brazili, importuar nga subjekti “KING MIT”,
    25.999 ton “Mish Derri” nga Brazili, importuar nga subjekti “FRIGO ALB shpk”,
    22.648 ton “Mish Viçi” nga Brazili, importuar nga subjekti “DEKON FRIGO shpk”.
    25 ton “Mish Derri” me origjinë nga Qipro, importuar nga subjekti “EHW shpk”,

dhe me finalizimin e praktikës për kthimin ne vendin e origjinës ose asgjësim, rezultati do të njoftohet në rrjetin Europian të shkëmbimit të informacionit mbi rreziqet që lidhen me ushqimin (RASFF)/lapsi.al/.