Shqetësim e frikë ka shkaktuar te banorët e Karaçevës futja e trupave të armatosura të xhandarmërisë serbe në brendësi të fshatit pasditen e së premtes.

Patrullimi i këtyre trupave është xhiruar nga kamerat e sigurisë të një restoranti, pronën e të cilit ata e kanë shfrytëzuar si rrugë kalimi, raporton KOHA.

Nëpër oborrin e këtij biznesi në Karaçevën e Epërme, trupat ushtarake serbe kanë kaluar në orën 16:20.

Një orë e 40 minuta më pas, të njëjtët trupa kanë mbërritur në lagjen e Bernjashëve në Karaçevën e Poshtme.

Aty, kolona e ushtarëve është kapur nga kamerat e shtëpisë së Shaip Surdullit, të cilat ish-kryetari i Kamenicës thotë se i vendosi para një jave.

Rreth një kilometër larg shtëpisë së Surdullit, një tjetër banor është takuar me katër nga ushtarët. Sipas Shaban Bërnjashit, disa metra më poshtë kanë qenë të vendosur pjesëtarët e KFOR-it.

KFOR-i ka njoftuar se patrullimet e sinkronizuara rutinore me ushtrinë serbe janë të zakonshme dhe nuk zhvillohen pa prezencën e pjesëtarëve të misionit paqeruajtës.

Mirëpo, kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se nuk janë njoftuar paraprakisht nga KFOR-i për këtë patrullim.

Gjatë së shtunës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vizituar restorantin ku ushtarët serbë janë vërejtur për herë të parë. Nga aty, Haradinaj ka thënë se për këtë rast duhet të kërkohet llogari nga KFOR-i.

Kurse, kryeministri Avdullah Hoti, ka deklaruar se do të hartohet një raport i detajuar dhe se Qeveria do të veprojë në përputhje me Kushtetutën.

Sipas banorëve, trupat serbe edhe në të kaluarën kanë hyrë në thellësi të fshatit, por që nuk janë kapur nga kamerat.

Banorët dyshojnë se ushtarët nuk janë kthyer nga kanë ardhur, por nga territori i Karaçevës kanë dalë përmes fshatit Breznicë.