Numri i mësimdhënësve në Komunën e Podujevës do të mbetet i njëjtë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Zvogëlimi për 60 veta në vitin 2019 që ishte paralajmëruar nga zyrtarët komunalë nuk do të ndodhë edhe për një kohë.

Komunarët kanë thënë se Ministria e Financave i ka marrë parasysh shqetësimet e tyre dhe se gjatë vitit shkollor 2018-2019 nuk do të ketë probleme të tilla, shkruan sot Koha Ditore.

“Është e vërtetë se sipas Qarkores Buxhetore 2019/01 të lëshuar nga Ministria e Financave, është kërkuar që të shkurtohen 60 vende pune në fushën e arsimit, në vitin 2019 dhe kjo për ne ka paraqitur një shqetësim të madh”, ka thënë ushtruesi i detyrës i drejtorit të Arsimit, Agim Blakçori. “Mirëpo, pas vërejtjeve që i kemi drejtuar në Ministrinë e Financave, lidhur me këtë çështje, i kanë marrë parasysh shqetësimet tona dhe kanë reflektuar në Qarkoren Buxhetore 2019/02. Kështu që gjatë vitit shkollor 2018/2019 nuk do ta kemi këtë problem”.

LEXO EDHE: Shqetësuese largimi i 60 mësimdhënësve nga puna në Podujevë

Këtë çështje e ka ngritur shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica në njërën prej seancave të sivjetme. Ai kishte thënë se është shqetësuese zvogëlimi i numrit të mësimdhënësve për 60.