Shpërthen bombola, pronari i lokalit: Kemi parë tmerr me sy, nga shpërthimi...

Shpërthen bombola, pronari i lokalit: Kemi parë tmerr me sy, nga shpërthimi u plagosën dhe 2 djemtë e mi

Shpërthimi i një bombole gazi është kthyer në një tmerr të vërtetë për klientet që ndodheshin në lokal, duke shkaktuar 32 persona të plagosur.
Flakët e zjarrit sa hap e mbyll sytë kanë përfshirë gjithë lokalin, duke zënë në befasi personelin e shërbimit si dhe klientët, shumica prej tyre të rinj, por edhe burra të moshës 40-45 vjeç. Tmerr. Panik. Ulërima dhe thirrje për ndihmë: Po digjemi, po digjemi të gjallë! Të gjithë kanë parë vdekjen me sy.
Secili ka shpejtuar të dalë jashtë qarkut të ferrit për të shpëtuar. Shumë prej personave që kanë qenë në lokal kanë dalë jashtë dhe janë turrur drejt përroit që ishte aty pranë për të shuar flakët. Për pasojë, shumë prej tyre janë shpërfytyruar nga zjarri. Ngjarja e rëndë, me një bilanc të plagosurish si në një atentat terrorist, ka ndodhur pasditen e djeshme në qendër të fshatit Beragozhdë, i cili ndodhet pak kilometra larg qytetit të Pogradecit (në hyrje të tij).
Pronari i lokalit, Dashamir Muçka, i kontaktuar mbrëmë me telefon nga “GSH”, tha se në momentin kur ka ndodhur ngjarja ka qenë në banesën e tij.
“Unë isha në shtëpi bashkë me bashkëshorten, ndërsa dy djemtë i kisha në lokal. Dëgjova shpërthimin dhe shkova me vrap drejt lokalit. Çfarë të shikoja?! Njerëz të mbuluar nga flakët. Po bërtisja ‘ndihmë’, ishte e pamundur të futesha brenda. U mblodhën banorët, shumica me makina. Njoftova dhe policinë, ndërsa po çonim të dëmtuarit në spital. Ishte llahtari e vërtetë! Akoma nuk më hiqen nga sytë ato pamje të frikshme.
Shyqyr, Zotit që nuk pati viktima, pasi kishte shumë djem të rinj në lokalin tim, të cilët mblidhen çdo ditë dhe pinë kafen aty. Nga shpërthimi u plagosën dhe dy djemtë e mi, të cilët janë dërguar në Tiranë. Ishte e tmerrshme ajo që ndodhi. Më thanë se pati rrjedhje gazi dhe më pas ndodhi shpërthimi”, – pohoi pronari Muçka.