Ka shkuar në tetë numri i sportistëve që do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat e dyta Evropiane Minsk 2019, që mbahen prej 21-30 qershor në kryeqytetin e Bjellorusisë.

Organizatori i LE Minsk 2019 i ka konfirmuar Komitetit Olimpik të Kosovës pjesëmarrjen e pesë xhudistëve, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka, të cilët janë kualifikuar me normë. Distria është bartësja e dytë në kategorinë deri 48 kilogramë, Majlinda është e katërta (-52 kg), Nora e para (-57 kg), Akili i katërta (-73 kg), ndërsa Loriana e teta (-78 kg).

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, beson se edhe nga Minsku do të kthehen me medalje.

“Normalisht, gjasat janë për medalje dhe besoj që do të kthehemi me medalje, sa e qysh mbetet të shihet. Në xhudo, Lojërat Evropiane janë edhe Kampionat Evropian, domethënë do të jetë shumë garë e fortë”, ka deklaruar Kuka për faqen zyrtare të KOK-ut.

Pikërisht në xhudo, Kosova numëron një medalje të bronztë të fituar nga xhudistja Nora Gjakova, në debutimin e ekipit kosovar në Baku 2015.

Para xhudistëve, por me ftesë, KOK-ut i është konfirmuar edhe pjesëmarrja e boksieres, Donjeta Sadikut, karateistit, Alvin Karaqi dhe pingpongistit, Fatih Karabaxhaku.

Afati i dërgimit të konfirmimeve nuk është mbyllur ende dhe në ditët në vijim ka gjasa të vije në KOK edhe konfirmimi për ndonjë sportist të sporteve tjera, sipas njoftimit nga Komiteti Olimpik.