Një objekt i vogël e i vjetër shërben për të ndjekur mësimin për nxënësit e shkollës fillore “Emin Duraku” në fshatin Bajçinë të Podujevës.

340 nxënësit e saj e kanë të vështirë të ndjekin mësimin praktik. Aty nuk gjendet asnjë kompjuter, pos atij të drejtorit të shkollës Bashkim Lepaja. Edhe kabinetet e tjera mungojnë. Edhe klasat ku i dëgjojnë ligjëratat e mësimdhënësve janë të vogla. Atyre shpesh u bie t’i ndërrojnë thuajse në çdo vit, pasi menaxhmenti duhet të kujdeset që paralelet me më pak nxënës t’i dërgojnë në dhoma të vogla, shkruan sot Koha Ditore.

Kësaj shkolle i është ngushtuar edhe hapësira e jashtme, pasi në vitin 2016 i ishte vënë guri i themelit objektit të ri. Por, ai nuk pritet të funksionalizohet edhe për një kohë.