Një gol i bukur nga goditja e dënimit. Një gol edhe më i bukur me goditje të saktë nga rreth 35 metra largësi. Fillimi i edicionit flet për mbrojtësin e ri të Kosovës, Ibrahim Dresheviq.

Për herë të dytë rresht 22-vjeçari ka zënë vend në ekipin më të mirë të javës në Eredivisie, kampionatin holandez të futbollit. Skuadra e Dresheviqit, Heerenveen, më 4 gusht fitoi 4:0 ndaj Hercalesit. Të dielën barazoi 1:1 me Feyenoordin e madh, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndaj Heraclesit, Dresheviq kishte shënuar golin e parë. Ndaj Feyenoordit shënoi supergol në minutën e 80-të për të barazuar shifrat në 1:1. Topi i goditur prej tij në mënyrë mjeshtërore përfundoi thuajse ku takohen shtyllat, duke mos i dhënë rast portierit.

Kështu Dresheviq po vazhdon ngritjen e madhe në karrierë. Lojtari shqiptar me prejardhje nga Mali i Zi, por i lindur në Suedi, i është bashkuar Kosovës para ndeshjeve të qershorit. Për shkak të telasheve me dokumentacion nuk u përfshi në skuadër për ndeshjet e qershorit, por pritet të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Bernard Challandes për ndeshjet e rëndësishme të muajit tjetër.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)