Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, duke komentuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nëse ai nuk e donë Limajn për kryesues të delegacionit të Kosovës, por Thaçin, atëherë edhe Kosova e do liderin e Partisë Demokratike Liberale të Serbisë, Çedomir Jovanoviq për kryesues të delegacionit të Serbisë dhe jo Vuçiqin.

Sherifi ka shkruar në Facebook se “presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq i paska dhënë vetes të drejtë të na tregojë se kush duhet dhe kush nuk duhet të udhëheqë delegacionin e Kosovës në bisedime me Serbinë”.

Postimi i plotë i Sherifit:

“Duam të bisedojmë me Çedomir Jovanoviqin dhe jo me Aleksandër Vuçiqin!

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq i paska dhënë vetes të drejtë të na tregojë se kush duhet dhe kush nuk nuk duhet të udhëheqë delegacionin e Kosovës në bisedime me Serbinë.

Duke u bazuar në të njejtin parim edhe Kosova do të kishte të drejtë të vendosë se kush duhet dhe kush nuk duhet të udhëheqë delegacionin e Serbisë.

Nëse Vuçiqi nuk e don Limajn për kryesues të delegacionit të Kosovës por Thaçin atëherë edhe ne e duam politikanin serb Çedomir Jovanoviç për kryesues të delegacionit të Serbisë dhe jo Vuçiqin!”, ka shkruar Sherifi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha dje se ditët e fundit ishin të rënda për shkak të zhvillimeve në 72 orët e fundit, duke filluar nga presionet mbi Listën Serbe dhe Qeverinë e Serbisë, duke emëruar Fatmir Limaj për kryesues të delegacionit qeveritar të Kosovës në bisedimet në dialogun në Bruksel.

Vuçiq tha se Lista Serbe nuk e pranon Limajn për kryesues të delegacionit negociator kosovar.