Me aktivitete të ndryshme për fëmijë, sot në Podujevë u shënua 1 qershori – Dita ndërkombëtare e fëmijëve, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Në programin kryesor për shënimin e kësaj dite, i cili u mbajt në “Bulevardin e Dëshmorëve” mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elhame Kutllovci dhe drejtori i Arsimit, Avni Fetahu.

Me këtë rast Kryetari Bulliqi ka uruar fëmijët prezent dhe përmes tyre edhe të gjithë fëmijët tjerë.

“Në këtë ditë të shënuar për ju, e për ne, u përcjell urimet më të mira, për ju dhe familjet tuaja, me dëshirën që ju të rriteni, të shkolloheni dhe t’i realizoni ëndrrat tuaja në vendin tuaj” tha Kryetari Bulliqi.

Ai u zotua se do të angazhohet çdo ditë për të siguruar kushte më të mira, për lojëra, për shkollim dhe për jetë më të mirë për fëmijët në radhë të parë dhe për të gjithë qytetarët.

Në këtë program të larmishëm festiv, me pika të ndryshme artistike u paraqiten nxënës nga shkollat fillore të qytetit dhe grupe fëmijësh nga organizime të ndryshme.

Po ashtu, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e kësaj dite, sot në Teatrin “Avdush Hasani” u dha shfaqja “Dashuri në fund të detit”.

Aktivitetet për shënimin e Ditës së Fëmijëve u organizuan nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Drejtoria e Arsimit në bashkëpunim me Këshillin e Veprimit Rinor Lokal dhe Qendrën Rinore./Llapi.info

May be an image of 16 people, child, people standing and outdoors
May be an image of 8 people, people playing musical instruments, people standing and outdoors
May be an image of 16 people, child, people standing, footwear and outdoors
May be an image of 26 people, child, people standing and outdoors