Me komedi dhe koncert është shënuar dje Dita e Diasporës në Podujevë. Për shënimin e kësaj dite ishte paraparë edhe një ekspozitë e artizanaleve në ora 12:00 në Parkun e Qytetit të Podujevës, por ajo nuk u mbajt.

Këtë pikë të programit, ekspozitën e artizanaleve, Agron Gërguri, u.d. i Drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në komunën e Podujevës, ndonëse ka dhënë hapësirën e programit për të, nuk e sheh si të rëndësishme në krahasim me pikat tjera.

“Kjo ekspozitë që po thoni ju nuk është e rëndësishme hiq. Ka pika tjera më të rëndësishme se kjo. Janë iniciativat vullnetare “RB”, “Elita e Rinisë”, ato që nuk kanë mundur ta realizojnë. Por, edhe mërgimtarët nuk janë të interesuar shumë për këtë ditë. Më shumë interesohen për darsma sesa për këtë ditë”, ka thënë Gërguri për llapi.info.

Ndërsa, komedia “Sot për Dje” me regji të Agron Gërgurit, ishte paraparë të filloj në ora 18:00 në Sallën e Teatrit në Podujevë, por, për shkaqe teknike, komedia filloi pak pas orës 19:00.

Komedia “Sot për Dje”, sipas Gërgurit trajton një problem të moshës, vjetërsisë së kohës dhe moshës njerëzore.. Pjesë e kësaj komedie ishin: Ramadan Oraca në rolin e Qerkinit, Gani Podvorica në rolin e Çerkezit dhe Marigonë Demiri në rolin e Qershisë.

11791796_10204466680442750_2010866324_n

Ai ka treguar se komedia “Sot për Dje” pas tri ose katër ditësh do të shfaqet në Verën Kulturore të Ulqinit, në Skenën e Ulqinit.

Poashtu, Gërguri ka folur edhe për Festivalin në përgjithësi i cili po mbahet në Podujevë, duke treguar për shfaqjet të cilat janë shfaqur deri tani dhe ato të cilat do të shfaqen.

Ai ka treguar se synimi i këtij festivali është që të tregohen aftësitë e llapjanëve për të bërë teatër profesionit në Podujevë.

Shumica prej këtyre shfaqjeve do të shfaqen në ambiente jashtë teatrit.

Juria e cila do të ndaj pesë çmimet kryesore në fund të festivalit përbëhet nga: Ahmet Jakupi, regjisor nga Shkupi, Hakif Mulliqi, dramaturg dhe profesor në Akademinë e Arteve në Prishtinë dhe Lutfi Lepaja, shkrimtar.

Çmimet që do të ndahen janë: Mozaiku i Orfeut si çmim kryesor, çmimi për rolin më të mirë të femrës, çmimi për rolin më të mirë të mashkullit, regjisorin më të mirë dhe çmimi “Skena Ndryshe”.

Mbrëmë në ora 21:00 për nder të Ditës së Diasporës është organizuar edhe koncerti “Midis 2 Urave”.

Festivali “Teatri Ndryshe” është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga Kuvendi Komunal i Podujevës./Llapi.info