Shënohet Dita Botërore Kundër Kancerit me disa aktivitete në Prishtinë

Task Forca Kosovare për Kontroll të Kancerit – TKKK, do të shënojë Ditën Botërore Kundër Kancerit – 4 shkurtin, me disa aktivitete të përgatitura enkas për këtë ditë të rëndësishme.

TKKK, si organizatë jofitimprurëse është anëtare e Unionit Ndërkombëtar për Kontroll të Kancerit – UICC, Task Forcës Mediterane për Kontroll të Kancerit – MTCC dhe Asociacionit Evropian për Kancer të Cerviksit-ECCA, ka dizajnuar dy fletpalosje në gjuhën angleze, të cilat janë përkthyer në të gjitha gjuhët e vendeve mesdhetare duke përfshirë edhe gjuhën shqipe me moton: “Jetën tënde e ke ti në dorë” dhe “Ushqimi dhe kanceri”.

Qëllimi i saj është vetëdijesimi i popullatës se si duhet parandaluar kanceri, cilët janë faktorët e rrezikut për tipet më të shpeshta të kancerit dhe si duhet të ushqehemi për ta parandaluar këtë sëmundje të rëndë.

“E konsiderojmë si shumë të rëndësishme që këto fletpalosje të arrijnë në duar të popullatës për t’u njohur me detajet e përmendura më lartë, në mënyrë që të ulet incidenca dhe vdekshmëria nga kjo sëmundje e cila ka marrë përmasa të gjëra; kemi paraparë që ato të shpërndahen gjatë 4 Shkurtit, Ditës Botërore të Kancerit”, thuhet në njoftimin për media të TKKK-së.

TKKK, në agjendën e saj për shënimin e kësaj dite, ka paraparë që të mërkurën në ora 10:30 të vizitojnë fëmijët me kancer në Repartin e Hematologjisë të Klinikës së Pediatrisë, duke dhënë një mbështetje morale kësaj kategorie të ndjeshme të shoqërisë Kosovare. Në këtë aktivitet do të bashkëngjiten edhe disa artistë kosovarë si: Gresa Pallaska, Zake Prelvukaj, Naser Rrafuna, Irena Cahani, Dardan Gashi dhe Agan Asllani.

Ndërsa në ora 12-13, po ashtu të mërkurën, do të vendoset stenda me fletpalosjet në qendër të Prishtinës në sheshin “Nëna Terezë” në mënyrë që ato t’iu shpërndahen kalimtarëve të rastit, me qëllim të vetëdijesimit të popullatës.