Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike thotë se gjatë tërë vitit bën mbikëqyrjen permanente të Influencës sezonale (ILI), ARI dhe SARI me intensifikim të aktiviteteve gjatë sezonës përkatëse. Mbikëqyrja realizohet përmes hulumtimit aktiv dhe pasiv në Institucione shëndetësore dhe terren.

Sipas Institutit, në 5 sezonat e fundit prej vitit 2014 shohim se sezona 2018/2019 karakterizohet me numër më të vogël të rasteve, nga java 40-të deri në javën e 52-të dhe pastaj vazhdon me një rritje të numrit të rasteve që nga java e 01-rë e janarit të vitit 2019.

Nga fillimi i sezonës 01 tetor 2018 ( java e 40 –të) deri më 24 shkurt 2019 (java 08-të), në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 33.708 raste të dyshimta në grip (ILI), 5.104 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 53 raste SARI (Infeksion i Rëndë Respirator Akut).

“Intensiteti i Influencës sezonale sipas numrit të rasteve të raportuara në javën e 08-të paraqitet mbi aktivitetin mesatar dhe krahasuar me javën paraprake (07-të) ka një rritje prej 17.3 % por ende nuk e kalon pragun epidemik.  Në javën e 08-të (18.02-24.02 2019) në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar 3.770 raste ILI, 385 raste ARI dhe 10 raste SARI”, ak bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në një komunikatë për media.

Në të gjitha komunat janë paraqitur rastet e Influencës, dhe sipas numrit të rasteve numër më të lartë kanë komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Ferizajit ndërsa sipas incidencës numër më të lartë të rasteve kanë komuna e H. i Elezit, Istogut, Dardanës, Prishtinës, Shtimes dhe Junikut.

Në raport me distribuimin e rasteve sipas grup-moshës dhe incidencës, nga numri total i rasteve të raportuara me ILI, shihet se të gjitha grup-moshat janë të atakuara mirëpo vërehet një tendencë e rritjes te grup-mosha 0-4 vjeç dhe 5-14 vjeç.

Sa i përket rasteve me ARI, grup- mosha më e atakuar është 0-4 vjeç (2.034 raste), pastaj grup-mosha 15- 64 (1.653), ndërsa grup-moshat tjera kanë numër të përafërt të rasteve ,

Në laboratorin e Qendrës kombëtare të Influencës -IKSHPK deri me 28 shkurt 2019 janë testuar gjithsej 719 mostra të dyshimta në Influencë dhe prej tyre 265 kanë rezultuar pozitive me INF.A (pozitiviteti 36.9 %). Influenca A : Nga 265 rastet pozitive në Influencën A, sipas sub-tipit 76 prej tyre kanë rezultuar me INF.AH1 pdm09 (29 %) dhe 188 raste pozitive INF.A të pa subtipizuara (71 %) dhe 1 rast pozitiv në INF. AH3 (0.4%).

Prej fillimit të sezonës 01 tetor 2018 (java e 40-të) deri 24 shkurt 2019 (java e 07-të) janë hospitalizuar 503 raste me Dg.Bronchopneumonia (ARI) 122 raste me Dg. Status griposus (ILI) si dhe 53 raste me Dg. Infiltratio Pulmonum (SARI).

Aktiviteti sezonal

IKSHPK/ Departamenti i Epidemiologjisë bënë mbikëqyrjen e Influencës gjatë tërë vitit, me intensifikim të saj gjatë sezonës përkatëse (java e 40 deri në javën e 20),

Përcjell situatën epidemiologjike me rastet ILI/ARI (javore) dhe rastet me SARI (në bazë ditore/ alerti).

Bënë testimin laboratorik të mostrave në Departamentin e Mikrobiologjisë/Qendrën Kombëtare për Testimin e Influencës.

Instituti Kombëtar ka apeluar te të gjithë Drejtorët Rajonal të Shëndetësisë Publike dhe punëtorët shëndetësor që të ngrisin nivelin e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.

Ka rekomanduar tek Inspektorati shëndetësor dhe sanitar të mbikëqyrë të gjitha Institucionet shëndetësore të Kosovës, për të urdhëruar për obligimin ligjor të paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse dhe rasteve të vdekjeve nga këto sëmundje.

Ka dhënë këshilla për popullatën për mbrojtjen nga sëmundja dhe njohjen e sipmtomeve të saj.

Masat praktike në parandalimin e hapësirës së virusit të gripit sezonal

Të evitohen sa është e mundur kontaktet e afërta me individë të sëmurë.

Personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes.

Të redukohet numri i vizitave të familjarve tek personat të hospitalizuar(SHSKUK, Spitalet rajonale).

Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz.

Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina.

Bëni aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshëm.

  • Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku qëndroni.
  • Mbuloni hundën dhe gojën me një shami kur të teshtini dhe kolliteni dhe hidheni më pas në vend të sigurt.
  • Lani duart shpesh me ujë dhe sapun, ose përdorni solucione duarsh me alkool.
  • Mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar të kontaminuar, pasi virusi përhapet në këtë mënyrë.
  • Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar nga virusi.

Konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit, barnat merren vetëm me rekomandimin e mjekut

Medikamentet kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, mund të përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe të rekomanduara nga mjeku.

Medikamente kundër gripit duhet të fillohen brenda 48 orëve të para të fillimit të sëmundjes për të pasur efektivitet të lartë.

Medikamente kundër gripit mund ta bëjnë sëmundjen më të butë si dhe të shkurtojnë kohën e sëmundjes. Ato mund të parandalojnë edhe komplikacionet e rënda që mund të vijnë nga gripi.

Masat parandaluese për përhapjen e virusit të gripit

Mënyra më efikase për parandalimin e virusit të gripit sezonal është Vaksinimi me vaksinën kundër gripit.

  • Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në parandalimin e përhapjes së gripit.
  • Vaksinimi kundër gripit sezonal bëhet në muajt tetor–dhjetor.
  • Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit.

Vaksinimi

KSHPK në fillim të sezonës së gripit 2018/2019 ka siguruar 85. 000 doza të vaksinës sezonale. Deri më tani janë distribuar dozat për personat me sëmundje kronike, personat mbi 65 vjeç, punëtorët shëndetësor, shtëpinë e pleqëve, FSK, Policinë, QKMF dhe Kl. Infektive.

Situata epidemiologjike në rajon dhe botë

Influenca sezonale 40 -07, 2018 / 2019 në Evropë

Aktiviteti i Influencës ka përfshirë tërë rajonin Evropian. Mostrat e grumbulluara nga pacientët e qendrave sentinel me ILI ose ARI tregojnë për një pozitivitet në Influencë prej 53 %. Influencë A virusi me subtipin A(H1N1) pdm09 vazhdon të ko-qarkullojë dhe dominon pak ndaj subtipit A(H3N2). Ndërsa virusi B është detektuar vetëm në disa mostra. Rreth 36 % e mostrave të marra nga pacientët e hospitalizuar me Infeksion të rëndë akut respirator (SARI) gjatë javës së 7/2019 kanë rezultuar pozitive në Influencë dhe gati të gjitha në tipin A.

Të dhënat nga 22 shtetet dhe rajonet që raportojnë në EuroMOMO tregojnë për nivel të rritur të mortalitetit te popullata mbi 65 vjeç por edhe te ajo adulte prej 15-64 vjeç. Shtetet të cilat raportojnë aktivitet mesatar të qarkullimit të virusit janë: Spanjë, Holandë, Belgjikë, Poloni, Skotlandë, Çeki, Sllovaki, Rumani, Shqipëri, Slloveni, Kroaci, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë ndërsa shtetet që raportojnë aktivitet të lartë të qarkullimit të virusit janë: Francë, Gjermani, Greqi dhe Hungari.

Nga të gjithë virusët e Influencës të izoluar në qendrat sentinel deri më 17 shkurt 2019, 30.3 % i përkasin tipit A të pasubtipizuar, 40.7 % subtipit A (H1), 28 % subtipit A (H3), 0.6 % tipit B (no lineage), 0.4 % tipit B/Yamagata dhe 0.1 % tipi B/Victoria.

Shtetet duhet të inkurajojnë vaksinimin dhe përdorimin e antiviralëve bazuar në udhërrëfyesit nacional.