Xherdan Shaqiri u ka dhënë fund fjalëve se ai mund të largohet nga Liverpooli këtë verë.

27-vjeçari u transferua te kampioni i Evropës në verën e vitit të shkuar nga Stoke City.

Trajneri Jurgen Klopp e shfrytëzoi reprezentuesin e Zvicrës deri në mes të sezonit, por në fund ai i dha shumë pak hapësirë. Këto kanë shtyrë të shtohen spekulimet se a do të largohet Shaqiri këtë verë, por ai ka mohuar vetë këta zëra.

“A është kjo pse kam ardhur te Liverpooli? Po. Ky klub ka nevojë të fitojë trofe, është start i mirë të fitojmë këtë apo jo. Tani vitin e ardhshëm do të provojmë të fitojmë Premier Ligën”, ka thënë Shaqiri për gazetarët pasi Liverpooli mposhti Tottenhamin të shtunën për të fituar Ligën e Kampionëve.

“Kjo është ëndrra ime e madhe, të fitoj Premier Ligën me këtë klub. Ndihem jashtëzakonisht mirë. Ka kaluar kohë e gjatë që kur Liverpooli fitoi këtë trofe, 2005. Është e mrekullueshme t’u japësh tifozëve atë që e meritojnë. Klubi meriton gjithçka, stafi, të gjithë”, ka deklaruar më tej Shaqiri.

Shaqa ka shënuar gjashtë gola në 30 paraqitje për “Të Kuqtë” sivjet.