Kujtim Shala tregon se e kishte hedhur poshtë mundësinë e transferimit në Crvena Zvezda për shkak të nacionalizmit të klubit serb dhe terrorit të serbëve ndaj shqiptarëve

Kujtim Shala ishte njëri prej futbollistëve më të mirë shqiptarë në kohën e ish-Jugosllavisë.

Prizrenasi kishte shkëlqyer në fanellën e Prishtinës, për t’u transferuar më pas në Kroaci, ku ishte bërë idhull në Dinamon e Zagrebit.

Ndërkohë, shkurt kishte luajtur edhe tek Partizani i Beogradit.

Shala ka treguar për periudhën e vështirë në të cilën kishte kaluar për faktin se ishte shqiptar, pasi e fyenin gjithandej.

Madje, ka zbuluar se nuk e ka marrë asnjëherë në konsideratë transferimin në Crvena Zvezda, për shkak se ky klub ishte shumë nacionalist.

“Unë si shqiptar dhe si tifoz i Dinamos, jam goditur në Nish, Sarajevë, Banja Llukë, Beograd… Ata dëshironin të më vrisnin. Unë e lija shpirtin në fushë dhe në dhomat e zhveshjes i shihja që më ishin zbardhur flokët. Unë isha nga Kosova dhe me Dinamon, ky ishte një kombinim vrasës në Serbi. Unë isha objektivi. Nëse shkoja në Beograd dhe në stadium konferencieli e thërriste emrin tim, njerëzit vërshëllenin dhe më fyenin”, kujton Shala atë kohë.

Ai tregon se fyerje nuk kishte marrë vetëm nga tifozët serbë, por edhe nga lojtarët kundërshtarë serbë, shkruan Gazeta Express.

“Fyerjet që i kam dëgjuar nga tifozët, por edhe nga lojtarët e klubeve serbe, as që mund t’i imagjinoj. Sa herë ma kanë fyer nënën shqiptare, më kanë thënë Ustash, terrorist… Thërrisnin edhe: ‘Vriti, vriti shqiptarët’. Por, fyerjet vetëm janë dëgjuar. Po në fushë? Nuk do ta harroj kurrë kur lojtari i Zvezdës, kasapi Drizic për shkak të ndërhyrjeve të mia e meritonte kartonin e kuq, por ai nuk kishte marrë as paralajmërim madje. Për këtë, nuk do të transferohesha në një klub nacionalist”, shton Shala.

Shala së fundmi mori pjesë në një turne humnanitar në Zagreb dhe gjatë intonimit të himnit e mbajti dorën në zemër. Me këtë i befasoi kroatët, por jo edhe ata që e njohin.

“Është një shenjë që e dua dhe e respektoj Zagrebin dhe Kroacinë. Unë jam shqiptari i parë që ka luajtur për ekipin kombëtar të Kroacisë. Këtë nuk e kam bërë asnjëherë të madhe”, përfundoi Shala.