Serbia shkel marrëveshjet, OEK e shqetësuar nga kushtëzimet

Oda Ekonomike e Kosovës shpreh shqetësimin dhe kundërshton sjelljet e Doganës së Serbisë e cila kushtëzon kompanitë nga Kosova me deklarimin e mallit që eksportohet në këtë vend si mall i prodhuar në “Krahinën e Kosovës dhe Metohisë”, gjë që paraqet shkelje flagrante e marrëveshjeve në mes të dy vendeve.

Oda Ekonomike e Kosovës është informuar nga disa kompani vendore se kanë probleme serioze me Doganat e Serbisë me rastin e eksportit të produkteve të veta në Serbi dhe me kërkesat e papranueshme nga ky autoritet që malli i cili eksportohet të deklarohet si mall i prodhuar në Serbi duke kërkuar që në deklaratën të shënohet si mall i prodhuar në “ Krahinën Autonome të Kosovës dhe Metohisë”.

Njëkohësisht autoritetet në Serbi janë duke u shkaktuar probleme edhe importuesve nga Kosova mallrat e të cilave kalojnë transit nëpër Serbi duke u kërkuar certifikata, dokumente dhe analiza të panevojshme për transit, pasi që të njëjta vijnë nga vendet e BE-së.

Këto informata dhe ankesa të bizneseve janë konfirmuar edhe nga Dogana e Kosovës.

Oda angazhohet për respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga përfaqësuesit e dy shteteve dhe kërkon që institucionet vendore të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për eliminimin e këtyre probleme dhe barrierave të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë dëmtojnë dialogun dhe marrëveshjet e arritura deri më tani që janë edhe kërkesë e faktorit ndërkombëtar.

OEK mbështet dialogun dhe partneritetin por kërkon reciprocitet dhe pozita të barabarta në të bërit biznes jo vetëm me Serbinë por edhe me vendet tjera.